Arbëri

Partitë të bllokuara në qëndrim, s’ka përafrim në konstituimin e Kuvendit

Kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Partitë politike parlamentare nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe gjashtë ditë pas përpjekjes së fundit për zgjedhjen e trupave të legjislativit, partitë kanë vazhduar me avazin e njëjtë të fajësimit të njëra-tjetrës për ngërçin në Kuvend.

Gjykata Kushtetuese, që nga 27 korriku, ka vendosur masë të përkohshme deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve çdo veprim.

Në tryezën që Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizuan të premten, u pa se partitë nuk kanë asnjë përafrim për zgjidhjen e krizës politike.

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, duke kërkuar kompromis tha se partitë ish-opozitare zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk duhet ta politizojnë, pasi sipas tij, kjo çështje në këtë fazë është teknike.

“Do të kishte qenë mirë të kishte pasur atë që quhet konsensus, pasi unë jam ithtar i konsensusit si parim. Ai është adresim i përbashkët në një orientim dhe vizion. Ky konsensus nga të gjitha partitë politike nuk u realizua dhe nuk u dëshmua. Për zgjedhjen e kryetarit ose kryetares së Kuvendit, unë e shoh këtë si diçka krejtësisht procedurale dhe nuk më ka dalë askund që kjo fazë ka pasur nevojë të tejpolitizohet dhe t’i bëhet dëm shtetit dhe pozicionit tonë. Postet janë të parapërcaktuara në zgjedhje dhe legjitimiteti është fituar në terren, prandaj kjo fazë e konfirmimit nuk është dashur të bëhet pengesë për kalimin në fazën e dytë dhe të tretë”, tha ai.

Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se fryma e konsensusit është refuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo e akuzoi partinë e Albin Kurtit se prej disa muajsh të krizës politike po bën grusht-shtet për të përmbysur rendin kushtetues të vendit.

“Çfarë po shohim tani e disa muaj është grusht-shtet. Është përpjekje për të përmbysur në plotni rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sot, derisa ne po diskutojmë këtu, përkundër vendimit të qartë të Gjykatës Supreme, qeveria që ka uzurpuar zyrat ka thirrur mbledhje dhe po merr vendime, po emëron borde, bartës të institucioneve, dhe kemi një përpjekje të qartë për të përmbysur rendin kushtetues në Kosovë. Ideja e konsensusit është rrënuar pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Çfarë kemi parë në Kuvendin e Kosovës është një përpjekje për legjitimimin e diktatit, jo të dialogut si instrument në politikëbërje”, tha ajo.

Kritika ndaj LVV-së për mungesë të kompromisit për konstituimin e Kuvendit shfaqi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo madje tha se kjo parti po bën “vetgrusht-shtet”, pasi po synon ta mbajë pushtetin me kompetencat e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 – gjë që, sipas saj, është e papranueshme.

“Më duhet ta rëndoj dozën. Nuk mendoj se është vetëm grusht-shtet, por është edhe një shkallë më e rëndë, pasi është vetgrusht-shtet. Grushtin po e bën partia që është në detyrë. Partia që është në detyrë nuk po pajtohet me fuqinë dhe pushtetin që ia kanë dhënë votuesit në zgjedhjet e fundit dhe po dëshiron të qëndrojë në detyrë dhe të ketë kompetencat e 14 shkurtit 2021. Kjo është plotësisht e papranueshme”, theksoi Bajrami.

Po ashtu, edhe deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, tha se partitë që deri tani kanë qenë në opozitë kanë ofruar zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, mirëpo një gjë e tillë është refuzuar vazhdimisht nga LVV-ja, duke insistuar vetëm në emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

“Aleanca që nga dita e parë ka propozuar për dalje nga situata dy emra: zonjën Shqipe Selimi dhe Saranda Bogujevci. Duke parë situatën, kemi propozuar edhe zotëri Glauk Konjufca. Edhe partitë e tjera kanë dhënë shumë zgjidhje, por LVV-ja çdo herë ka insistuar në emrin e zonjës Haxhiu. Pse nuk duhet ajo – u dhanë shumë arsye – por interesi i LVV-së nuk ka qenë për të formuar parlamentin”, shtoi ai.

Ndërkaq, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëresha Krasniqi, tha se LVV-ja, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, duhet ta shohë vetveten për të arritur kompromis.

“Kur dikush nuk pajtohet me dikë, rreziku është i papajtueshmërisë me vetveten. Ne gjithmonë duhet të ndalemi para se t’i drejtojmë gishtin dikujt – në këtë rast partisë së parë fituese – pasi kemi tepër nevojë që t’ia drejtojmë gishtat vetes për përgjegjësinë. Po ashtu, për besimin e madh të qytetarëve që duhet të përkthehet në mundësi institucionale dhe zhvillim ekonomik”, tha ajo.

Në panelin e diskutimit ishte edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, i cili sugjeroi që partitë të mos presin mrekulli nga Gjykata Kushtetuese, pasi zgjidhja duhet të vijë nga vetë ato, me arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Partitë politike nuk duhet të presin mrekulli nga Gjykata Kushtetuese, pasi edhe nëse ajo merr vendim, i njëjti duhet të zbatohet nga partitë politike. Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i obligojë partitë politike të kenë konsensus për të arritur një kompromis politik për konstituimin e Kuvendit. Gjykata përcakton procedurat, por zgjidhja në fund duhet të jetë nga partitë politike, të cilat duhet të dalin nga vetja për një marrëveshje politike,” theksoi Miftaraj.

Kosova nuk ka arritur të themelojë institucionet e reja, pavarësisht se zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Deputetët, të shtunën e javës së kaluar, dështuan për herë të 54-të të konstituojnë legjislaturën e nëntë, ndërsa ka skaduar edhe afati 30-ditor i dhënë nga Gjykata Kushtetuese që i obligonte të zgjedhurit e popullit të formonin organet e Kuvendit deri më 26 korrik.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, për të cilin LVV, në koalicion me Guxo dhe Alternativën, ka propozuar deputeten Albulena Haxhiu. Mirëpo, e njëjta, në gjashtë votime të hapura, nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post.