Arbëri

Partitë s’pajtohen për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën që po kalon vendi

Pa epilog pozitiv është përmbyllur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e para e mbajtur nga konstituimi i legjislaturës së nëntë. Partitë politike nuk u pajtuan që të vënë në funksion trupat e legjislativit për të adresuar telashet, me të cilat mund të përballet vendi, si rezultat i mungesës së mosmiratimit të buxhetit

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend nuk janë pajtuar për formimin e komisioneve parlamentare të legjislaturës së nëntë.

Në mbledhjen e Kryesisë, të enjten, pos funksionalizimit të trupave të Kuvendit, është diskutuar edhe miratimi i buxhetit për Radiotelevizionin e Kosovës, atyre për komunat e Prishtinës, Gjilanit e Zubin-Potokut, si dhe për atë vjetor të shtetit.

Sipas kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, në rrethanat e jashtëzakonshme që është vendi, funksionalizimi i përkohshëm i komisioneve është forma e vetme për t`u dhënë zgjidhje çështjeve të adresuara.

“Me pasë vullnet politik, unë mendoj që kemi mujt me pasë dakordancë me i nda këto 14 komisione parlamentare që i kemi pasë veç në fazë tranzicionale me i miratu buxhetet në fjalë, pastaj nëse kemi qeveri të re dhe dikastere të reja Kuvendit nuk ia ndalon askush për me themelu komisione të tjera parlamentare edhe me nda dikasteret që e mbikëqyrin qeverinë”, ka thënë ai.

Sipas Bashës, me mungesën e miratimit të buxhetit, punëtorët e RTK-së do të mbesin pa paga, tri komunat do të përballen me vështirësi financiare e pa paga rrezikojnë të mbesin edhe 80 mijë zyrtarët publikë.

“Në asnjërën prej këtyre pikave nuk kam gjetur mirëkuptim. Na e dimë që jemi në situatë të jashtëzakonshme, nuk është e zakonshme me u mbledhë Kryesia, por unë mendoj që, së paku kam pritë që sikur të kishte pasë një vullnet politik ka qenë bindja ime që s`ka pasë asnjë shkelje ligjore dhe kushtetuese për me i themelu komisionet për me mujt me procedu me buxhetin e RTK-së, tri buxhetet e komunave dhe buxhetin vjetor”, ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë.

E përpjekjet për formim të komisioneve e miratim të buxheteve janë konsideruar joligjore dhe jokushtetuese nga nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.

“Po na kërkohet të simulojmë demokraci duke shkelur Kushtetutën. Kush është pozitë sot në Kosovë, kush është opozitë. Janë dy komisione që i takojnë opozitës, kush është opozita, kë e mbikëqyr ky parlament, kush është qeveria. I njëjti njeri që donë me ta sjellë buxhetin është edhe ministër, edhe deputet. Nuk do të lejojmë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, thirrja e seancës së re për zgjedhjen e qeverisë, është e vetmja pikë që mund të trajtohet në Kryesi aktualisht.

“Nuk mund të trajtojë asnjë pikë tjetër të rendit të ditës pa votimin e qeverisë së re, pa formimin e komisioneve dhe komisionet mund të themelohen pasi të krijohet shumica parlamentare. Vullneti politik duhet të ushtrohet brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor”, ka deklaruar Çitaku.

E nënkryetarja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se rreziku që punëtorët e RTK-së të mbesin pa paga e që vendi të hyjë në krizë për shkak të mosaprovimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, ka mundur të shmanget po të ishte shfaqur vullnet nga përfaqësuesit e subjekteve të tjera.

“Ky nuk është buxhet i Albin Kurtit, as i Vetëvendosjes. Nëse kanë inate me kryeministrin Kurti apo LVV-në, unë sot i ftoj që të reflektojnë që të heqin dorë nga këto inate, sepse po bëhet fjalë për qytetarët e Republikës së Kosovës e si përfaqësues të tyre do të duhej të ishim në krye të detyrës”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë, nga përfaqësuesit apo edhe nënkryetarët e tjerë të Kuvendit, ka parë “kapriço politike e qasje destruktive”.

“Në vend se në situatën aktuale të ishim të gjithë të unifikuar dhe të shihnim se cila është mënyra më e mirë për të adresuar, gjithnjë duke pasur parasysh që ne nuk kemi pasur një situatë që mund ta përdorim si praktikë në këtë nga e kaluara”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në mungesë të miratimit të buxhetit, mjetet financiare mund të përdoren vetëm deri në shkurt të vitit të ardhshëm.

“Nëse ne do te përballemi me rrethana të zgjedhjeve vitin tjetër, nuk do të kemi as buxhet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin e ardhshëm. Kur ne, ta zëmë, nuk mund të biem dakord për emrin e presidentes apo presidentit”, ka thënë Haxhiu.

Në mungesë të miratimit të buxhetit nga Qeveria e aprovimin e tij nga Kuvendi më pas, nga janari i vitit të ardhshëm nuk mund të realizohet asnjë projekt i ri, derisa nga marsi as të ekzekutohen pagat për sektorin publik.