Arbëri

Partitë opozitare e konsiderojnë turp kombëtar krizën politike aktuale

Kuvendi i Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Kosovare Murseli, ka thënë se gjendja aktuale nuk është krizë politike, por turp kombëtar.

Në fjalën e saj pas seancës së 51-të për konstituimin e Kuvendit, Murseli ka thënë se partia fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka kthyer Kosovën në vend të izoluar. 

“Kjo nuk është thjesht krizë politike por turp kombëtar. Deputetet e LVV-së janë shkaku i degradimit tonë. Ata i mashtruan qytetarët, e kanë kthyer Kosovën në një vend të izoluar, të përçarë edhe me aleatët tanë. Qytetarët vuajnë, bizneset mbyllen, të rinjtë largohen e këta përmes propagandës gënjejnë qytetarët. Zonja Haxhiu a nuk të vije turp që Kosova mbahet peng nga ti? Vjen në Parlament e veshur firmato, me buzëqeshje cinike duke luajtur rolin e viktimës”, ka thënë ajo. 

Ndërsa Krenar Xhaferi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Kosova nuk meriton pushtet që s’e do mendimin ndryshe. 

“Kosova nuk ka lindur dje, nuk është produkt i një force të vetme politike. Mendësia njëpartiake është dashur të tejkalohet në vitet e ’90-ta. Kosova nuk u çlirua për të pasur një pushtet që nuk e do mendimin ndryshe. Kosova fiton kur ne jemi bashkë, jo kur jemi kundër njëri-tjetrit”, ka thënë ai. 

E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se ata që më parë thoshin se familjarët janë për dasma e ahengje, jo për t’i punësuar, e kanë kapur shtetin. 

“Ora po ecën, ka ngelur edhe një seancë sipas afatit ku Qeveria duhet ta formojë Kuvendin. Ka thënë që familjarët janë për dasma dhe ahengje, por çfarë kemi parë gjatë këtij mandati nuk ishin për ahengje por për t’u punësuar. E kanë kapur shtetin krejt. Nuk mund ta sfidojë rendin kushtetues të Kosovës. Për 6 muaj njeriu që e konsideron veten si baba i kombit me 48 deputetë nuk arrin ta bëjë Qeverinë. Zoti e bekoftë këtë popull dhe e ruajtë prej Albin Kurtit”, ka thënë ajo. 

Lexo përditësimet tjera
Ganimete Musliu Avni Dehari Qershite

Dehari e ndërpret seancën pa votim

(E përditësuar 11:27) - Edhe tentimi i 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk ka...