Arbëri

Parku i pishave në Shtime, shndërrohet në deponi të mbeturinave

Parku i Pishave

Komuna e Shtimes gjatë periudhës së fundit po kritikohet për menaxhim të dobët në mirëmbajtjen e Parkut të pishave. Ai është mbushur me mbeturina dhe askush nuk po i pastron ato.

Kjo çështje ka nxitur reagime të shumta edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Shtime por edhe nga vetë qytetarët.

Shkelzen Ademi, banor në Shtime ka thënë se shpeshherë e frekuenton Parkun e pishave, por gjatë periudhës së fundit është mbushur me mbeturina.

“Parku i pishave është shndërruar në deponi të mbeturinave, sepse ai nuk po mirëmbahet nga askush. Ne si qytetar shpeshherë e frekuentojmë atë por së fundi po e vërejmë se ka kundërmim. Është shqetësuese kjo gjendje sepse aty janë investuar mijëra euro nga taksat e qytetarëve për ndërtimin e parkut ndërkaq tani nuk po mirëmbahet nga askush”, ka thënë Ademi

Ndërkaq Adelina Beqa, këshilltare në Kuvendin Komunal të Shtimes nga radhët e PDK-së, ka thënë se qeverisja e kaluar ka investuar për ndërtimin e Parkut te pishat, mirëpo qeverisja aktuale nuk po e mirëmban atë.

“Shpesh e vizitoj atë park dhe e kemi vërejtur se nuk po mirëmbahet nga kjo qeverisje. Ankesa ka të shumta që të mirëmbahet parku, ndërkohë e kam ngritur zërin edhe në Kuvend ndërkaq drejtori i Shërbimeve Publike gjithmonë thotë shkurtimisht se do ta mirëmbajmë, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh”, ka thënë Beqa.

Në anën tjetër drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Shtimes Bardhyl Rushiti nuk ka qenë i qasshëm për të marrë një përgjigje, ndërkohë ai nëpërmjet një përgjigje dërguar kuvendarëve lidhur me këtë çështje ka thënë shkurt se do t’i shikojnë mundësit për ta mirëmbajtur parkun.

“Jemi në dijeni dhe do të jemi në koordinim me kompaninë e pastërtisë”, ka thënë shkurt Rushiti përmes përgjigjes.