Arbëri

Paralajmërohet fundi i vlerësimeve “30-sekondëshe” të personave në karrocë

Përfaqësues të Ministrisë së Financave kanë thënë se me ndryshimet që do të bëhen në Rregullore, personat në karrocë nuk do të kenë më nevojë që në baza periodike t’i nënshtrohen vlerësimit para disa komisioneve. Bazuar në ndryshimet e përgatitura, do të jetë vetëm një vlerësim dhe ai do të bëhet vetëm para një komisioni

Padrejtësive në procesin e vlerësimit të gjendjes së personave në karrocë synohet t’u jepet fund nëpërmjet ndryshimeve në Rregulloren e 2017-s. Ndryshe nga tash, pritet të vendoset që gjendja shëndetësore e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë të konstatohet një herë dhe vetëm në një komision mjekësor.

Në Komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut, përfaqësues të Ministrisë së Financave kanë thënë se plotësim-ndryshimi i Rregullores pritet të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm dhe se rivlerësimi i gjendjes së personave në karrocë mund të bëhet vetëm në raste specifike.

Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agon Dobruna, ka thënë se përmes kontraktimit të mjekëve do të rriten përgjegjësia dhe llogaridhënia.

“Kemi punuar që nuk ka nevojë për rivlerësim për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, sepse është çështje që përcaktohet një herë dhe nuk ka nevojë, siç ka qenë deri më tash, çdo 3 apo 5 vjet, grupi i parë dhe grupi i dytë. Mirëpo rivlerësimi nuk përjashtohet për dy situata, që nënkupton kur personit i përkeqësohet gjendja shëndetësore dhe ka nevojë për një rivlerësim shtesë, d.m.th. jo për me ia hjek, po për përkeqësim të gjendjes”, ka thënë Dobruna.

E zëvendësuesi i sekretarit të MF-së, Enis Spahiu, është shprehur se vlerësimi aktual nuk është llogaridhënës, pasi mungojnë evidencat dhe arsyetimet për kategorizim në grupe.

“Pajtohemi që ky vlerësim nuk është llogaridhënës. Nuk ka evidenca. Nuk kemi shënime pse komisioni e ka vendosur dikë në grupin e parë apo të dytë.... Me Rregulloren e re po kalojmë në sistemin ku ne i kontaktojmë mjekët. Mjekët na përgjigjen neve dhe do të shmangim këtë procedurë të zvarritjes, shko në QKUK, hajde prapë në komision, pastaj prapë kthehu në QKUK. Pra, do të jetë vetëm një komision mediko-social. Aktualisht komisioni është vetëm mjekësor, nuk është social”, ka thënë Spahiu.

Kryetarja e Komisionit parlamentar, Duda Balje, ua ka përmendur atyre disa raste të vlerësimit në më pak se një minutë, për të cilat udhëheqësja e Divizionit mjekësor u arsyetua në mangësitë e Ligjit dhe të Rregullores.

“A është e vërtetë zonja Anita që kanë ndodhur këto? Unë tash me emër dhe mbiemër para juve mundem me dalë për dhjetë (raste v.j.) persona me aftësi të kufizuara, të cilët kanë qenë dhe kanë thënë njëjtë. Do të thotë vlerësim 30 sekonda është kundërnjerëzor, nuk është fer. Sepse është me karrocë dhe ka ardhur tek ju dhe me dalë deri në korridor dhe me thënë t’i s’je për pension, diqysh është ofenduese. A ka ndodhur kështu?”, ka thënë Balje.

E udhëheqësja e Divizionit mjekësor në kuadër të Ministrisë së Financave, Anita Vrajolli, ka theksuar se edhe vetë ka adresuar vërejtje sa i përket Rregullores, teksa ka mohuar vlerësimin për vetëm 30 sekonda.

“Sa i përket komisionit vlerësues nuk kam çfarë të them, sepse komisioni bën vlerësimin në bazë të këtij ligji. Nëse vërtet deputetët dëshirojnë të kontribuojnë, atëherë ligjvënësit jeni ju, ne e zbatojmë ligjin. Kështu që vlerësimi bëhet nga profesionistët shëndetësorë, nga njerëz kompetentë që e zbatojnë ligjin. Tash tek vlerësimi, secili kemi përgjegjësi, në qoftë se ka gabime. Ndonëse vlerësimi është shumë profesional. Afati 30 sekonda nuk ka mundësi vetëm një dosje me e shfletu apo identifikimin e rastit”, ka thënë Vrajolli.

E përfaqësuesi i shoqatës “HANDIKOS”, Afrim Maliqi, ngriti dyshime për respektim edhe të Rregullores së ardhshme.

“Komisioni nuk e ka përfill. Pse? Ajo rregullore i ka pas 6 faqe vetëm informata që duhet me i plotësu për personin. Është e pamundur. Unë jam nga ata persona që jam vlerësu dy herë dhe e njëjta ka ndodh. A je ti filani? Po. Edhe me kaq ka përfunduar. Ekzistojnë tri komisione. Ky komision që është doktoreshë Anita është komision i Ministrisë e jo i QKUK-së, është edhe komisioni i ankesave që kam qenë vetë prezent, as nuk i kanë lexu ankesat. Nëse e ka refuzu ai, e ka refuzu edhe komisioni i ankesave”, ka thënë Maliqi.

KOHA ka raportuar për raste të ndryshme të vlerësimeve jo të drejta nga Komisioni mjekësor i Ministrisë së Financave dhe për mohimin e së drejtës për kujdestar personal ndaj personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pavarësisht kategorizimit që atyre paraprakisht ua bën komisioni brenda QKUK-së.