Erëra të forta janë paralajmëruar për sot në kyeqytet. Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët të kenë kujdes.
Drejtoria e Emergjencave thirrjen për kujdes e ka bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në të cilin thuhet se nga mëngjesi i ditës së diel, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka renditur disa udhëzime dhe këshilla për qytetarët:
• Siguroni ose largoni objektet e lehta në ballkone, oborre apo çati (vazo, reklama, panele të përkohshme).
• Tregoni kujdes gjatë qarkullimit në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.
• Shmangni qëndrimin e panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë më të fortë.
• Drejtuesit e automjeteve, veçanërisht të mjeteve të larta, të lëvizin me kujdes të shtuar.
• Nëse vëreni rrezik potencial (degë të rëna, objekte të lëvizshme, dëmtime), njoftoni shërbimet kompetente.
Sipas parashikimeve, erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026.