Arbëri

Para personave me aftësi të kufizuara nuk denoncohen vonesat në shpërndarjen e pajisjeve ndihmëse

Vonesa në shpërndarjen e pajisjeve që janë blerë prej më shumë se një viti për të paralizuarit, nuk është problematizuar gjatë ngjarjes kryesore që u organizua në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Pajisjet, të kontraktuara nga SHSKUK-ja, mbeten të papërdorura dhe përfituesit nuk kanë informacion se kur do t’u dorëzohen

Mbi 4 mijë pajisjet për persona me paralizë që janë blerë me para të shtetit e që nuk janë shpërndarë prej 15 muajsh, nuk janë përmendur të mërkurën si problem nga “HANDIKOS”, në diskutimin dyorësh të organizuar në shënimin e ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara.

Javën e shkuar, SHSKUK-ja bëri të ditur se këtë shoqatë e ka shpallur fituese të kontratës prej 123 mijë e 134 eurosh, për ta bërë shpërndarjen e pajisjeve që qëndrojnë në depo. Kontrata nuk është nënshkruar ende, e për këtë nuk janë ankuar përfaqësues të “HANDIKOS”-it.

Për pasojë, pajisjet që kanë kushtuar 6 milionë euro, nuk shkuan te njerëzit që janë të varur nga to.

“Kemi qenë në komision. Vendimin na e kanë dhënë, por diçka pajisje ende jo”, ka thënë Ismet Haziri, prind i një fëmije me aftësi të kufizuara. “Jo nuk na kanë lajmëruar kurrgjë hiç (për kohën kur mund t’i marrim v.j.)”.

Këtë e ka theksuar edhe prindi i një tjetër fëmije me nevoja të veçanta.

“Djali im është me aftësi të kufizuara, përdorues i karrocës. Kam aplikuar për një karrocë e cila është më e përshtatshme për të, që ka nevojë për një pajisje më të sigurt, më të mirë. E kam marrë vendimin që më është pranuar një karrocë dhe një tip sfungjeri që është e përshtatshme për ulje më të mirë. Akoma nuk e kam marrë pajisjen”, ka thënë Mimoza Bytyqi-Rrahmani.

Pas raportimit të KOHËS në muajin maj se pajisje nuk kanë mbërritur te personat në nevojë, SHSKUK-ja hapi procesin e aplikimit për përfituesit. E që nga shtatori, ky institucion i ka shkelur dy afate për ta bërë shpërndarjen.

Hulumtimi tregoi se disa pajisje u blenë shumëfish më shtrenjtë sesa çmimi i tyre në treg e sesa lejon Udhëzimi Administrativ.

Por në shoqatën “HANDIKOS”, përfaqësues të së cilës kanë qenë të përfshirë në hartimin e specifikave të tenderit, nuk fajësuan ndonjë institucion për këtë situatë.

“Sigurisht që edhe këtë vit kemi pasur sfida dhe barriera të shumta duke filluar nga shpërndarja e pajisjeve ndihmëse për komunitetin”, ka thënë Gresa Stubulla, menaxhere e programit në “HANDIKOS”.

Vonesat në shpërndarje të pajisjeve nuk u përmendën as nga drejtori i “HANDIKOS”, Afrim Maliqi, gjatë fjalimit të tij para prindërve, avokatit të Popullit, Naim Qelaj, si dhe drejtorit të Zyrës për qeverisje të mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajdredini.

Maliqi nuk pranoi të prononcohet për këtë çështje as pas ngjarjes, duke thënë se do të deklarohej pas nënshkrimit të kontratës.

Në fund të 2023-tës, hyri në fuqi udhëzimi administrativ i nxjerrë nga Qeveria për pajisjet që ofrohen falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, ndërsa SHSKUK-ja u caktua si institucion zbatues. 

Dy vjet pas, Habit Hajdredini tha se zbatimi i udhëzimit është ende në fazën fillestare.

Në një deklaratë të avokatit të Popullit është theksuar se ky institucion riafirmon përkushtimin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të detyrimeve shtetërore në këtë fushë. 

“Institucionet publike kanë detyrimin ligjor të ndërmarrin masa që sigurojnë trajtim të barabartë dhe eliminim të diskriminimit. Megjithatë, shumë prej këtyre personave vijojnë të përballen me pengesa serioze në qasjen në shërbimet shëndetësore, arsim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën publike”, thuhet në deklaratë. “Avokati i Popullit, përmes rekomandimeve dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme, ka kontribuar në ndryshime të rëndësishme, përfshirë rishikimin e procedurave të rivlerësimit mjekësor për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilat më parë kishin qenë në kundërshtim me ligjin. Në vitin 2025, janë rekomanduar gjithashtu ulje të tarifave të energjisë elektrike për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe personat e verbër, në pajtim me ligjet përkatëse. Avokati i Popullit ka trajtuar raste që lidhen me të drejtën e votës për persona që me vendime gjyqësore u është hequr pjesërisht zotësia e veprimit dhe nëse këto vendime kanë ndikim në të drejtën për të votuar, si dhe çështje që kanë të bëjnë me qasjen në arsim cilësor për personat e shurdhër”.

Avokati i Popullit ka alarmuar se, pavarësisht këtyre përpjekjeve, zbatimi i rekomandimeve mbetet i ulët. Shumë komuna ende nuk sigurojnë qasje të përshtatshme fizike në objektet publike, duke cenuar një të drejtë themelore. Po ashtu, udhëzimet administrative për uljen e tarifave të energjisë elektrike nuk janë miratuar ende.

Është shprehur edhe një brengë tjetër.

“Edhe pse më 3 gusht 2023 Gjykata Kushtetuese konfirmoi amendamentin kushtetues që parasheh përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, miratimi i saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ende nuk ka ndodhur. Ky hap është i domosdoshëm për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe për forcimin e respektit dhe dinjitetin për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në deklaratë. “Avokati i Popullit do të vazhdojë të avokojë në mënyrë të palëkundur që këto të drejta të respektohen dhe të zbatohen në praktikë, duke e konsideruar barazinë dhe përfshirjen vlera thelbësore të një shoqërie demokratike dhe të drejtë”.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, edhe nga institucione tjera u kërkuan kushte të barabarta dhe shërbime të duhura shëndetësore e rehabilituese.