Arbëri

Koci: Berisha dështoi, s'pati kauzë - Edi Rama e pati anëtarësimin në BE

melazim koci

Melazim Koci, ish-kryeredaktor i REL-it, ka thënë se humbja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit ka qenë dështimi më i madh i kryetarit të saj, Sali Berisha.

Ai ka thënë se Berisha nuk pati asnjë kauzë të re dhe fushata ishte thuajse e njëjtë me ato në të kaluarën. Sipas tij, kjo e ka dëmtuar më shumë PD-në kësaj here.

“Ky ka qenë dështimi më i madh i Berishës, paaftësia e tij për të sjellë një trashëgimtar, për të reformuar partinë. Gjatë fushatës pamë të njëjtat figura, të njëjtat ide, gati si në vitin 2000. Problemi kryesor i fushatës së PD-së ishte, nuk kishte Berisha kauzë, Rama e pati – Bashkimi Evropian. E dyta, të imitosh Trumpin kjo nuk pati efekt në Shqipëri, madje ishte kundërproduktive. Ka qenë fushatë pa kauzë. Kësaj radhe e dëmtoi bukur shumë PD-në”, ka theksuar Koci.  


Hyseni: SPAK, i vetmi mekanizëm jashtë kontrollit të Edi Ramës

Aktivisti politik i PSD-së, Zgjim Hyseni, vlerëson se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është i vetmi mekanizëm në Shqipëri që ka mbetur jashtë kontrollit të Edi Ramës. 
“SPAK-u aktualisht, sipsa bindjes sime, është i vetmi mekanizëm jashtë kontrollit të pushtetit të Edi Ramës. Nuk e di edhe sa gjatë. Ndryshimi i pushtetit në Washington, eventualisht mund të ndikojë. SPAK-u ka qenë mekanizëm ekskluzivisht amerikan. Edhe fuqia për me imponu struktura të tilla është amerikane, jo aq evropiane. E dimë edhe prej Kosovës një gjë të tillë”, ka thënë Hyseni në “Konfront” të KTV-së. 

 


Pula: Fuqia e Edi Ramës - absolute, presidenti - një vegël e tij

Analisti politik Shqiprim Pula ka deklaruar se pas fitores së thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri, Edi Rama ka konsoliduar pushtet absolut, duke e përqendruar të gjithë kontrollin institucional në duart e tij.

Sipas Pulës, procesi elektoral në Shqipëri ishte “one man show”, i përqendruar tërësisht te figura e Ramës.

“Rreth 60 paraqitje në të gjithë Shqipërinë, ku vetë Edi Rama prezantonte programin dhe kërkonte votën. I gjithë procesi ishte i personalizuar, me fokus te ai”, ka thënë Pula në “Konfront” të KTV-së.

Ai theksoi se me rezultatin e zgjedhjeve – ku Partia Socialiste ka siguruar 83 mandate nga 140 gjithsej në Kuvend – Edi Rama tashmë ka në dorë të gjitha mekanizmat për të ndryshuar ligje, për të bërë emërime në institucionet shtetërore dhe për të kontrolluar trupat diplomatike.

“Presidenti është shndërruar në një vegël të tij. Me këtë shumicë, Rama do të ketë fuqi absolute. Kjo nuk i shërben demokracisë, përkundrazi – e zbeh kontrollin e brendshëm institucional”, shtoi Pula.

Partia Demokratike, forca kryesore opozitare, ka marrë vetëm 50 mandate, duke thelluar ndjeshëm diferencën me socialistët.

Nga partitë e vogla, Partia Mundësia e Agron Shehajt projektohet të marrë dy mandate, kurse partia që u udhëhoq nga Adriatik Lapaj pritet të ketë një mandat – aq sa edhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit.


Pantina: Arsyet e fitores së PS-së - puna e madhe dhe mungesa e alternativës tek opozita

Shqipe Pantina, analiste, ka dhënë arsyet e fitores së Partisë Socialiste në Shqipëri në zgjedhjet e 11 majit. Nga rezultatet preliminare nga zgjedhjet në Shqipëri, Partia Socialiste kryeson thellë me numër mandatesh.

Sipas saj, fitorja e PS-së ka qenë e pritshme duke marrë parasysh punën që e ka bërë kjo parti në terren.

“Fitorja ka qenë e pritshme dhe rezultati nuk është befasues për PS-në duke pasur parasysh punën që e kanë bë në terren, si parti që angazhohen me struktura kanë qenë maksimalisht të angazhuar në terren. Nën dy, që ka mundësuar fitoren e thellë të PS-së është një opozitë pa alternativë. Nuk shoh alternativë te Sali Berisha. Në vend se të punonte me reformimin e partisë, ai u mor shumë me Lulzim Bashën. Insistoi ta merrte lidershipin e partisë”, ka thënë ajo në “Konfront”.

Pantina ka shtuar se opozitës në Shqipëri u mungojnë strukturat në terren, e pa ato, sipas saj, nuk mund të ketë rezultat të mirë një parti.

“Mund ta kesh programin më të mirë qeverisës, por nëse nuk i ke njerëzit nëpër terren, programi i mirë nuk të sjell vota. Këtë e ka kuptuar PS-ja”.