Arbëri

Palmeri për zgjedhjet në Shqipëri: Të sigurohet besimi i shqiptarëve për rezultatin

Foto: Alban Bujari / KD / ilustrim

Pas bisedave me Ramën, Bashën e Metën, ai ka kërkuar që zgjedhjet e 25 prillit të jenë sipas standardeve demokratike dhe të sigurohet besimi i shqiptarëve. Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit ka folur edhe për vaksinat në Shqipëri dhe vendimin e Qeverisë për të marrë prodhimet ruse e kineze. Ka thënë se zgjedhja i përket Shqipërisë dhe se SHBA-ja nuk ndërhyn në punët e brendshme.

Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ka nisur një “vizitë virtuale” në Shqipëri, teksa ka biseduar me zyrtarët më të lartë të politikës shqiptare, kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta e kryedemokratin Lulzim Basha.

Bisedat e Palmerit me krerët institucionalë dhe politikë shqiptarë janë zhvilluar teksa Shqipërinë e ndajnë më pak se tri javë nga zgjedhjet e përgjithshme. Porosi e Palmerit pas këtyre bisedave është që zgjedhjet e 25 prillit të zhvillohen sipas standardeve demokratike, në mënyrë që të sigurohet besimi i shqiptarëve për rezultatin. Në një bashkëbisedim me gazetarët që kanë ndjekur studimet në programet amerikane, Palmeri ka konfirmuar bisedat virtuale me Ramën, Metën e Bashën, duke i cilësuar ato si biseda të mira. Ai i ka vlerësuar lart edhe përpjekjet për reformën në drejtësi.

“Pata bisedime të mira me presidentin e kryeministrin. I vlerësoj përpjekjet që janë bërë në reformën në drejtësi. Zgjedhjet duhet të jenë sipas standardeve demokratike. Kam biseduar edhe me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Duhet siguruar që shqiptarët të kenë besim për rezultatin. SHBA-ja është e përkushtuar të jetë partnere e fortë për Shqipërinë. Jemi të përkushtuar për të ardhme euroatlantike të Shqipërisë”, ka thënë ai.

Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit njëkohësisht i ka mbështetur plotësisht deklaratat e ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, për kandidatët e zgjedhjeve të 25 prillit. Ka thënë se Kim ka qenë tërësisht e qartë në deklaratat e saja dhe se kandidatët e partive duhet të jenë të besueshëm. Ai ka theksuar se më e rëndësishmja është që të ketë zgjedhje transparente, si dhe të vijojë reforma në drejtësi.

“E rëndësishme është ajo çfarë ka thënë Yuri Kim. Ata që kandidojnë duhet të jenë të besueshëm. Kim ka qenë e qartë në deklaratat e saj. Ka pasur progres në Shqipëri në reformën në drejtësi, por ka ende shumë punë për t’u bërë. E rëndësishme është të zhvillohen zgjedhje transparente”, ka thënë ai.

Me këtë rast, Palmeri ka folur edhe për manovrat ndërkombëtare, “Defender Europe 2021”, që pritet të fillojnë më 26 prill dhe që do të shtrihen pothuajse në të gjitha bazat tokësore, detare apo ajrore të Shqipërisë, nga veriu në jug të saj. Temë gjatë bisedave ka qenë edhe përkushtimi i SHBA-së që të ketë vaksina në mbarë botën. Teksa është fokusuar te vaksinat në Shqipëri dhe zgjedhjen që ka bërë Qeveria e Edi Ramës për të marrë prodhimet ruse e kineze, Palmeri ka thënë se vendimi i përket Shqipërisë dhe se SHBA-ja nuk ndërhyn në punët e brendshme. Ka theksuar se Shqipëria po mundohet për popullin e saj duke zhvilluar procesin e vaksinimit, pavarësisht nga vijnë vaksinat.

“Kina dhe Rusia po e përdorin një diplomaci tjetër. Edhe Shqipëria po mundohet për popullin e saj. Zgjedhja e vaksinës i takon Shqipërisë. Ne nuk ndërhyjmë në politikën e brendshme të vendeve”, ka thënë ai.