Arbëri

Pallaska: Nga mungesa e trajtimit me hemodializë, pacientët mund të rrezikojnë jetën

Nefrologia Lidvana Pallaska ka alarmuar për pasojat me të cilat mund të përballen pacientët, pas paralajmërimit se institucionet shëndetësore mund të përballen shpejt me mungesë të materialit për hemodializë. E, SHSKUK-ja ende nuk ka shpallur fituesin e tenderit emergjent, pas pezullimit të atij të rregullt

Pas paralajmërimit se në institucione publike shëndetësore mund të ketë mungesë të materialeve për hemodializë, specialistja e nefrologjisë, Lidvana Pallaska, ka listuar pasojat me të cilat mund të përballen pacientët.

Ajo ka insistuar se shërbimi nuk bën të vonohet as edhe për një ditë.

“Nga mungesa e trajtimit me hemodializë, pacientët mund të zhvillojnë sëmundje kronike si hipertensioni, grumbullim toksinash në organizëm që shkakton helmim, si dhe komplikime të tjera serioze që rrezikojnë jetën”, ka thënë Pallaska.

Në Klinikën e Nefrologjisë dhe në disa spitale rajonale, rezervat e materialeve për hemodializë janë drejt fundit. Ndërkaq, disa qendra ofrojnë shërbimin falë donacioneve.

Një burrë nga Prishtina, bashkëshortja e të cilit trajtohet me hemodializë në QKUK, tha një ditë më parë se është paralajmëruar se do të ketë mungesë të materialeve të nevojshme për këtë shërbim jetik.

Një paralajmërim i tillë u është dhënë edhe pacientëve që këtë shërbim e kryejnë në spitalet rajonale.

Ky shërbim nuk kryhet në privat e as materialet nuk mund të blihen privatisht në barnatore. 

Por familjari i pacientes në QKUK tha se një zgjidhje do ta bëjë.

“Dy veshkat i ka llom, veç dializa po i ndihmon. Nëse ndalet, unë marr naj iniciativë vetë, se s’di pa ta, s’mundet. Është rrezik me pasë mungesë”, ka thënë ai në kushte anonimiteti.

Tenderi për furnizim me këto medikamente është pezulluar, meqë lënda ndodhet në Organin Shqyrtues të Prokurimit. 

Por, në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar thanë se pacientët do ta marrin shërbimin e hemodializës.

“Janë ndërmarrë të gjitha masat për furnizim të qëndrueshëm. Njësitë shkëmbejnë materiale sipas nevojës. Pacientët do ta vazhdojnë trajtimin pa ndërprerje”, thuhet në një përgjigje të SHSKUK-së.

SHSKUK-ja ka mbyllur të hënën tenderin emergjent të shpallur të premten, me vlerë 455 mijë. Fituesi do të shpallet brenda shtatë ditësh, ndërsa sipas SHSKUK-së furnizimi do të bëhet nga kompania e kontraktuar brenda 5 ditëve pas urdhërblerjes.

Nefrologia Lidvana Pallaska thotë se vitin e kaluar Klinika e Nefrologjisë është përballur me mungesë të materialeve të nevojshme për hemodializë.

“Edhe vitin e kaluar kemi pasur një situatë të ngjashme me mungesë të materialeve, dhe ishte jashtëzakonisht e vështirë për t’u përballuar. Për një klinikë si kjo, këto mungesa janë të papranueshme”, ka thënë Pallaska.

Tenderi i rregullt për materiale për hemodializë është pezulluar, pas një ankese në OSHP që e ka paraqitur kompania “Trimi Med”, e cila në konsorcium me “Medi Health” fitoi kontratën me vlerë mbi 2.2 milionë euro. Ajo u ankua, meqë për një pjesë të furnizimit u shpall fitues kompania “Pharma Leader”.