Arbëri

Palët me qëndrime të betonuara, në shtator s’priten dakordime në dialog

Dialogu - Kurti - Vuçiq

Dinamika dhe kalendari i ngjarjeve që priten kah fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit të ardhshëm nuk garantojnë se mund të arrihet ndonjë dakordim mes Kosovës e Serbisë, me takimet që rikthehen në shtator. Në tetor Kosova voton për zgjedhjet lokale e në prill të vitit të ardhshëm janë zgjedhjet presidenciale në Serbi. Zgjedhje do të ketë edhe në Gjermani, kurse në Francë vitin e ardhshëm - dy vendet shtytëse për arritjen e një marrëveshjeje finale. Përveç mungesës së vullnetit prej palëve, sipas analistëve as Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë vizion të qartë se çfarë dëshiron nga ky dialog

Dakordimi i mundshëm rreth një agjende për dialogun po konsiderohet i vështirë pas takimit të paralajmëruar në fillim të shtatorit mes Kosovës e Serbisë. Kjo për shkak të ngjarjeve të ardhshme në Kosovë e Serbi, por më vonë edhe te vendet e fuqishme brenda Bashkimit Evropian.

Në tetor Kosova voton për zgjedhjet lokale e në prill të vitit të ardhshëm janë zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Në shtatorin e sivjetmë zgjedhje do të ketë edhe në Gjermani, kurse në Francë vitin e ardhshëm - dy vendet shtytëse për arritjen e një marrëveshjeje finale.

Takimi i radhës do të zhvillohet më 7 dhe 8 shtator në nivel të kryenegociatorëve, e kah fundi i shtatorit pritet edhe një takim mes Kurtit e Vuçiqit.

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se përveç zgjedhjeve në Kosovë e Serbi, as BE-ja nuk e ka të qartë se çfarë dëshiron nga ky dialog.

“Po ashtu, edhe Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë vizion të qartë se çfarë dëshiron nga ky dialog në afat të shkurtër, mes të tjerash edhe për shkak të zgjedhjeve në Gjermani që priten së shpejti dhe më vonë zgjedhjet në Francë. Duke pasur parasysh të gjitha këto rrethana, është tepër ambicioze të pritet ndonjë rezultat në dialog. Mirëpo, për Bashkimin Evropian e rëndësishme është që dialogu të vazhdojë dhe që Miroslav Lajçaku të mund të thotë se mandati i tij po vazhdon dhe se ai po e kryen punën sipas mandatit që i kanë dhënë shtetet anëtare”, ka thënë ai.

Në Zyrën e Kryeministrit e as emisari për dialog nuk kanë treguar për temat që synojnë t’i ngritin pas zhvillimeve të fundit, me arsyen se ato nuk janë konfirmuar ende.

“Takimet e radhës bilaterale dhe trilaterale në kuadër të procesit të dialogut, në të cilat do të marrë pjesë zëvendëskryeministri Bislimi, priten të mbahen gjatë javës së dytë të shtatorit. Për temat dhe agjendën e takimit, të cilat nuk janë konfirmuar ende, do t’ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ndërkaq, rreth temave të dialogut Qeveria e Kosovës ka kërkesa nga përfaqësuesit e Luginës.

Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Nagip Arifi, thotë se me Serbinë duhet të përdoret parimi i reciprocitetit.

“Për Qeverinë e Kosovës, kërkesat tona janë para së gjithash që të bëjnë trysni në dialogun që po zhvillohet në Bruksel që kërkohet nga qeveria e Serbisë, të garantohen të drejtat individuale dhe kolektive. Ne nuk po kërkojmë as më shumë e as më pak, vetëm të përdoret parimi i reciprocitetit, atë që po iu garantohet serbëve në Kosovë, t’iu garantohet edhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës apo në Serbi. Merreni me mend, sa i përket Ligjit mbi Zgjedhjet Parlamentare në Republikën e Kosovës, serbët kanë një diskriminim pozitiv, 10 deputetë janë të garantuar të zgjidhen, kurse ne këtë të drejtë nuk e kemi”, është shprehur ai.

Takimet e kaluara në qershor dhe korrik nuk prodhuan asnjë rezultat, pasi katër çështjet e propozuara nga kryeministri Kurti i refuzoi pala serbe, që insiston në zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit.