Shumica parlamentare synon që projektligjin për sigurimet shëndetësore ta miratojë në lexim të dytë më së largu më 23 prill. Por, zbatimi i tij nuk do të nisë menjëherë. Bazuar në projektligj, pakoja e benefiteve të mbuluara nga sigurimi, parashihet me faza në një periudhë maksimale prej pesë vjetësh
Lëvizja Vetëvendosje synon që brenda 13 ditësh ta miratojë në lexim të dytë në Kuvend projektligjin për sigurime shëndetësore, sipas të cilit sigurimi i detyrueshëm do të implementohet plotësisht brenda pesë vjetësh.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Haxhi Avdyli, thotë se nevoja për ta përshpejtuar procesin e vendimmarrjes, buron nga situata aktuale politike që mund të rezultojë me shpërndarje të Kuvendit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Duke marrë parasysh rrethanat në të cilat ekziston Kosova me paqartësinë politike që ekziston rreth zgjedhjes së presidentit, mendoj që edhe kjo është në bazën e saj që këto të kryhen para datës 26 prill në mënyrë që së paku të kemi të aprovuar këtë ligj dhe edhe nëse shkojmë në zgjedhje institucionet shëndetësore, MSH dhe institucionet tjera vartëse të saj të vazhdojnë me përgatitjen infrastrukturore teknike për implementimin sa më të suksesshëm të këtij ligji”, ka bërë të ditur Avdyli.
E nëse ligji miratohet më 23 prill dhe nënshkruhet pas tetë ditësh nga presidentja, ai hyn në fuqi më 16 maj.
Megjithatë Avdyli, thekson se zbatimi i plotë i sigurimeve shëndetësore kërkon vite.
“Frytet e këtij ligji do të ndihen shumë vite më pas sepse këtu kërkohet një përgatitje shumë e madhe infrastrukturore duke filluar nga sistemi i informimit shëndetësor, d.m.th. digjitalizimi i të gjitha shërbimeve dhe pagesave”, ka thënë deputeti Avdyli.
Projektligji parasheh që qytetarët të paguajnë për sigurim shëndetësor 7% të rrogës bruto, nga e cila 3.5% mbulohet nga punëdhënësi dhe 3.5% nga punëmarrësi.
Ai parasheh krijimin e Fondit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, i cili siguron zbatimin e ligjit dhe, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, mbledh kontributet.
Por pakoja e benefiteve të mbuluara nga sigurimi, parashihet me faza në një periudhë maksimale prej pesë vjetësh.
“Pakoja e përfitimeve të fazës së parë dhe fillestare do të përfshijë si minimum shërbimet e kujdesit shëndetësor në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor nga neni 16, nën paragrafi 2.1. i këtij ligji, dhe, nëse përmbushen dispozitat e nenit 17, paragrafi 13 i këtij ligji, gjithashtu dhe skemën e rimbursimit të barnave dhe materialeve shpenzuese për pacientë jashtë-spitalor nga neni 17, paragrafi 4 i këtij ligji”, thuhet në projektligj.
Bazuar në projektligj, sigurimi mbulon kujdesin parësor, shërbime specialistike dhe spitalore, urgjencat, disa barna nga lista e rimbursimit dhe shërbime të nevojshme edhe jashtë vendit në raste specifike.
E, për shërbimet e kujdesit shëndetësor që mbulohen nga Fondi, është paraparë që Ministria e Shëndetësisë të hartojë një akt nënligjor që miratohet nga Qeveria. Ministria parashihet të vendosë edhe për listën e barnave dhe pajisjeve medicinale të rimbursueshme.
Projektligji përcakton që pakoja e përfitimit të shërbimeve shëndetësore të ofrohet nga institucionet shëndetësore me të cilat Fondi ka marrëdhënie kontraktuale.