Një paralajmërim për tërheqje nga Qeveria e dhanë të hënën zyrtarë të një partie minoritare, por që më pas e demantuan atë. Zyrtarë të partisë nga komunitetet joshumicë, që ishin bërë sebep të rrëzohej ish-Qeveria Hoti, kanë thënë se koalicioni me Kurtin për momentin është duke funksionuar dhe se nuk ka ndonjë çarje
Pakënaqësitë e brendshme të një subjekti minoritar që është pjesë e koalicionit çuan në kërcënime me tërheqje nga Qeveria. Nënkryetari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, përmes një statusi në Facebook, njoftoi të hënën se do të largohen nga detyra e zëvendësministrit dhe nga pozitat e këshilltarëve.
Por më pas Elshani e ka fshirë postimin duke mos dhënë sqarime të tjera. Kjo parti në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me një deputet.
Kryetari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi, e ka demantuar lajmin për tërheqje nga Qeveria. Sipas tij, nënkryetari Elshani mund ta ketë pasur ndonjë pakënaqësi lokale, të cilën ende nuk e kanë kuptuar.
“E kam kontaktuar z. Elshani. Ka thënë se ka qenë një mosmarrëveshje në nivel lokal. PAI është pjesë e Qeverisë, kemi marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, tash për tash jemi stabil në këtë marrëveshje. Kemi një zëvendësministër, këshilltar politik dhe koalicioni po funksionon”.
Resul Makreshi nga kjo parti është aktualisht zëvendësministër në Ministrinë e Financave dhe Transfereve.
Arifi ishte bërë sebep që të binte ish-Qeveria Hoti vitin e kaluar. Ndodhi kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që konstatoi se vota e deputetit Arifit ishte e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë. Sipas Kushtetueses, vendimi i Kuvendit të Kosovës i 3 qershorit për zgjedhjen e Qeverisë nuk ishte në pajtueshmëri me Kushtetutën, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Aktualisht LVV-ja i ka 59 deputetë në Kuvend. Derisa nga komunitetet joshumicë janë disa deputetë me të cilët Kurti kishte arritur marrëveshje. Pjesë e ekzekutivit është edhe Lista Serbe, megjithëse formalisht nuk kishte nënshkruar marrëveshje koalicioni me fituesin e zgjedhjeve. Ky subjekt i ka 11 ulëse në Kuvend.