Arbëri

Pak burra në edukim parafillor

Katër është numri i burrave që janë të punësuar si edukatorë në të gjithë Kosovën, nga 678 profesionistët sa janë aktivë në sistemin e arsimit parafillor. Përfaqësues të Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës (UP) kanë thënë se kjo lidhet kryesisht me stereotipat gjinorë. E sociologë kanë përmendur edhe faktorë të tjerë, të cilët ndikojnë në këtë trend

Nga gjithsej 678 edukatorët e punësuar në edukimin parafillor, vetëm 4 prej tyre janë burra, bazuar në të dhënat që i ka publikuar Agjencia e Statistikave (ASK) për vitin shkollor 2024/2025.

Interesim të ulët të profesionistëve të gjinisë mashkullore për këtë drejtim ka edhe në Fakultetin e Edukimit, në Universitetin e Prishtinës (UP). 

Blerta Perolli-Shehu, prodekane për Çështje Mësimore në këtë fakultet, ka thënë se ky trend kryesisht është global. Por, sipas saj, në Kosovë ekziston edhe një arsye tjetër, ajo e paragjykimit në shoqëri për profesionin.

"Vetëm në programin e fëmijërisë së hershme, në 10 vjetët e fundit kemi pasur 900 studentë, prej të cilëve katër kanë qenë burra dhe janë përshtatur shumë mirë me profesionin, janë përshtatur shumë mirë me modelin e edukimit të cilin e kanë marrë në fakultet dhe sot e praktikojnë në profesion. Por edhe ata kanë raportuar se janë ballafaquar me paragjykime nga shoqëria për zgjedhjen të cilën e kanë bërë”, është shprehur ajo.

Herolind Orllati është njëri nga pak studentët që ka diplomuar për Edukim të Hershëm në UP, por që nuk ka arritur të punësohet pas diplomimit.

Ai ka numëruar shumë sfida me të cilat është ballafaquar pas kësaj periudhe.

“Pasi i përfundova studimet, u përballa me shumë sfida në gjetjen e një vendi pune. Fatkeqësisht, stereotipat gjinorë janë ende të pranishëm në këtë profesion dhe, pavarësisht shumë aplikimeve, asnjë kopsht nuk më ka ftuar për intervistë apo nuk më ka pranuar pas intervistës. Kjo më ka penguar që të vazhdoj më tej, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në këtë profesion. Mundësitë ndoshta ekzistojnë, por pengesë e madhe kanë qenë stereotipat gjinorë, që lidhen me këtë profesion. Mungesa e pranimit social të meshkujve si edukatorë për fëmijët e vegjël është një realitet që e kam ndier drejtpërdrejt, dhe ky ka qenë faktori kryesor që më ka penguar ta gjej një vend pune në këtë fushë”, ka thënë ai.

Bukurije Rrustemi, sociologe, e ka përmendur edhe pagën e ulët si një prej arsyeve që ka ndikuar në këtë trend, porse e ka theksuar mospranueshmërinë e burrave në tregun e punës.

“Duke pasur parasysh faktin që gratë janë ato që kujdesen për fëmijë, në njëfarë mënyre prindërit nëse ekziston në kopshte edukator, mund të hezitojnë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre, sepse edhe vetë ata janë rritur në një mentalitet të tillë, e mund ta shohin si diçka jo të natyrshme”, ka thënë ajo.

Në përgjithësi, në Universitetin e Prishtinës ka më shumë studente sesa studentë. Sipas të dhënave të Universitetit, rezulton se nga mbi 23 mijë studentë sa janë në të tri nivelet, 69 për qind e tyre janë femra.