Arbëri

Pajisja me patentë shofer, pritje deri në tre muaj për testim në vozitje

Procesi i pajisjes me patentë shofer po shoqërohet me vonesa të gjata në testimin praktik. Në Prishtinë, kandidatët kanë thënë se nga momenti i aplikimit deri te provimi në vozitje kanë pritur deri në tre muaj. Në Ministrinë e Infrastrukturës vonesat i kanë arsyetuar me rritjen e kalueshmërisë në testin teorik

Kandidatët që janë regjistruar për t’u pajisur me patentë shofer kanë thënë se për t’iu nënshtruar testit praktik kanë pritur deri në 3 muaj nga aplikimi. 

Të enjten e javës që shkoi, në poligonin e Qendrës për Patentë Shoferë në Prishtinë, kandidatët që po prisnin të testoheshin në vozitje, në kushte anonimiteti u shprehën se aplikuan në muajt shtator e tetor.

“Në shtator më duket, tetor. Kështu diçka”, thënë njëri nga kandidatët. “Qe 2-3 muaj. Po atëherë në tetor”, ka thënë një tjetër kandidat.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit për Patentë Shofer në Ministrinë e Infrastrukturës, Fejzullah Mustafa ka pranuar që është zgjatur koha e pritjes për t’iu nënshtruar provimit praktik, por jo edhe atij teorik.

Mustafa ka thënë se kjo është pasojë edhe e ndryshimeve të mënyrës së testimit teorik që janë bërë në fillim të vitit 2025. 

Sipas tij, kandidatëve që aplikojnë tash data e provimit praktik u caktohet në shkurt ose mars. 

Mirëpo ka theksuar se kjo periudhë pritjeje është vetëm në Qendrat për Patentë Shofer në Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj.

“Kjo ka ndodhur për arsye sepse ju e dini që gjatë vitit 2025 i kemi thjeshtësuar procedurat e testimit teorik, kurse stafi në aspektin e praktikës ka mbetur numër i njëjtë. Kështu që kur të rritet numri i kalueshmërisë, përqindja e kalueshmërisë nënkupton që më shumë kandidatë kalojnë pjesën teorike dhe është problematike të i sistemojmë në pjesën praktike”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, për të ulur kohën e pritjes, testimi praktik po zhvillohet me orar të zgjatur, përfshirë edhe të shtunave.

Ai ka thënë se vonesat janë shtuar edhe për shkak të mosfunksionimit dhjetëditor të sistemit pas punimeve në të të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.

Deri në fillim të këtij viti, koha e pritjes pas aplikimit për t’u testuar në vozitje ishte rreth një muaj e gjysmë.