Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe Ministria e Punëve të Jashtme, që ai e ka drejtuar në këtë gjysmëmandat, kanë dhënë versione të ndryshme për një fotografi, në të cilën kryediplomati kosovar shihet me Milan Radoiçiqin, njeriun që prej kohësh ndodhet në kërkim si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithëkëtë, deklaratat përputhën në pikën se takimi kishte ndodhur shumë përpara vrasjes.
Është Rrjeti i gazetarisë hulumtuese në Serbi, KRIK, që një ditë më parë ka publikuar një fotografi të Pacollit me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, e edhe me Radoiçiqin. Ky i fundit njihet si njeri i nëntokës dhe për kohë të gjatë ka vepruar në veriun e vendit të banuar kryesisht me serbë. Takimi kishte ndodhur në një jaht luksoz në Budvë të Malit të Zi dhe, sipas KRIK-ut, aty ishin marrë vendime të rëndësishme për përkrahjen e Listës Serbe dhënë Qeverisë së Ramush Haradinajt dhe bashkimin e tyre në koalicionin e vitit 2017.
Pacolli, në një prononcim për “Kohën Ditore”, e ka konfirmuar takimin, por e ka mohuar të ketë folur për koalicionin. Ai ka thënë të mos e ketë ditur se kush ishte Radoiçiqi. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)