Arbëri

Pacientët nuk rimbursohen për barnat e shtrenjta kundër kancerit që shteti s’i siguron

Klinika e Onkologjisë nuk ka adresë për një paciente që prej më shumë se një dekade lufton me kancerin. Ajo thotë se prej katër vjetësh në klinikë mungon medikamenti për t’i luftuar qelizat tumorale, ndërsa në Turqi një seancë i kushton 3.500 euro. Kostoja nuk i është rimbursuar nga shteti e në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore thonë se nuk mbulojnë shpenzime për medikamente që nuk janë në Listën e barnave esenciale

Shaha Loshi prej 14 vjetësh përballet me sëmundjen e kancerit të gjirit, që i është përhapur edhe në organe të tjera.

Ajo thotë se në katër vjetët e fundit trajtimi nuk ka mundur të bëhej në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, meqë medikamenti me emrin tregtar “Enhertu” nuk gjendet në këtë klinikë dhe nuk është përfshirë as në Listën e barnave esenciale.

“Kam marrë 8 seanca, ndërsa mjekët më kanë sugjeruar edhe 17 seanca të tjera, sepse terapia po ka efekt dhe po përpiqet ta ndalë përhapjen e metastazave”, ka thënë ajo.

Për trajtim Loshi i është drejtuar një klinike në Turqi, por thotë se kostoja prej 3.500 eurosh për seancë është e papërballueshme.

“Vlera e terapisë arrin deri në 76 mijë euro dhe nuk po mund t’i sigurojmë mjetet. Ministrisë së Shëndetësisë i kemi kërkuar ndihmë dhe kemi bërë ankesa, por nuk i ka pranuar dokumentet”, është ankuar kjo paciente.

Loshi thotë se është detyruar ta vonojë terapinë e fundit, në mungesë mbështetjeje financiare nga Ministria e Shëndetësisë apo nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

“Na janë përgjigjur se nuk mund të na japin trajtim jashtë vendit, sepse kimioterapia është në Onkologji. U kemi thënë: ‘në rregull, sigurojini barnat ju, unë e bëj trajtimin këtu’. Por, ata thanë se nuk mund t’i sigurojnë barnat”, ka thënë pacientja që vuan nga kanceri.

Në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore theksuan se mbështetja për këtë terapi është e pamundur, meqë medikamenti nuk është në Listën e barnave esenciale.

“E vetmja mundësi është që mjetet financiare të përfshihen në Listën esenciale, sepse programi ynë e ka të pamundur të mbulojë diçka që nuk e mbulon. Nuk është e mundur të mbështetet nga fondi si blerje e terapive. E vetmja mundësi është që të shihet nga klinika sa është numri i pacientëve që kanë nevojë për këtë terapi dhe të gjenden mjetet financiare në përqindje të barnave esenciale”, ka thënë Amir Keka, drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

KOHA ka pyetur Klinikën e Onkologjisë për numrin e pacientëve që kanë nevojë për terapinë e njëjtë me të pacientes Loshi, por ka munguar përgjigjja. Në Klinikë nuk treguan as nëse do të bëhet kërkesë për futjen e medikamentit në Listën e barnave esenciale.

E në Ministrinë e Shëndetësisë lanë pa përgjigje pyetjen pse nuk rimbursohet kjo kategori pacientësh.

Në mungesë të mbështetjes nga institucionet, Shaha Loshi u është drejtuar për ndihmë qytetarëve nëpërmjet platformës për mbledhje fondesh “GoFundMe”.