Komuna e Ferizajt prej disa muajsh ka ndërprerë shërbimet e kujdestarisë në “Qendrën e Mjekësisë Familjare 2” në pjesën lindore të qytetit, në të cilën kanë marrë shërbime banorët e dhjetëra fshatrave.
Ndërprerja e këtyre shërbimeve ka nxitur reagimin e pacientëve të cilët po kërkojnë sa më shpejtë të rikthehen shërbimet me arsyetime se në urgjencën e QKMF-së po duhet të presin gjatë për të marrë shërbime.
Ndërkaq në Komunë kanë thënë se shërbimet e kujdestarisë në QMF 2 janë ndërprerë për shkak se tashmë kanë rritur shërbimet mjekësore në emergjencën primare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Andaj sipas zyrtarëve komunalë është rritur edhe numri i stafit mjekësor, infermierëve dhe pajisjeve elektronike.
Por, pacientët kanë thënë se është shqetësuese mbyllja e kujdestarisë në QMF2 dhe bartja e mjekëve nëpër institucione të tjera.
Gentrit Gashi, banor në lagjen “Kongresi i Manastirit”, ka thënë se komuna duhet t’i rikthejë shërbimet e kujdestarisë në QMF2 pasi që qindra vizita mjekësore janë realizuar gjatë natës në këtë institucion.
“Jemi të shqetësuar se si është bërë bartja e mjekëve nga QMF2 në emergjencën e QKMF-së. Kjo ka pasur qëllim që të mbyllet kujdestaria në këtë institucione dhe mjekëve e infermierëve t’u krijohet sa më shumë komoditet dhe pushime gjatë orarit të punës. Gjatë kohës së pushimeve kemi menduar se mjekët janë në pushim vjetor dhe do të rikthen shërbimet, mirëpo planifikimet e komunës kishin qenë të tjera”, ka thënë ai.
Ndërkaq, edhe Zekir Hysenaj, banor i kësaj pjese të qytetit ka thënë se banorët e dhjetëra fshatrave kanë marrë shërbime në QMF2.
“Ne si të moshuar nuk po mund të lëvizim gjatë për të shkuar në qendër të qytetit për të marrë shërbime mjekësore gjatë natës. Andaj është shqetësuese se si është ndërprerë shërbimi i kujdestarisë i cili ka qenë afër qytetarëve të pjesës lindore dhe afër qytetarëve të dhjetëra fshatrave. Kërkojmë që të kthehen shërbimet mjekësore në këtë qendër sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë ai.
Kemajl Emini, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Ferizajt, ka thënë për KOHËN se në bashkëbisedim me këshillin drejtues të QKMF-së kanë marrë këtë vendim për mbylljen e shërbimit të kujdestarisë në QMF2.
“Duke e pasur parasysh me rrethanat me përfundimin e kontratës me punëtorët e “Caritas”-it dhe mungesa e stafit në QMF2, ne e kemi parë të arsyeshme që ta përforcojmë emergjencën e kujdestarisë në QKMF dhe atje t’i ndërpremë shërbimet e kujdestarisë gjatë natës. Po ashtu kërkesat tona në Qeverinë e Kosovës nuk janë shqyrtuar për rritjen e numrit të stafit mjekësor, andaj ne tashmë kemi përforcuar emergjencën primare me staf me 3 mjek, andaj qytetarët mund të marrin shërbime gjatë kujdestarisë vetëm në këtë qendër. Po ashtu lehtësi për qytetarët është edhe ndërtimi i infrastrukturës së nënkalimit projekt ky i cili e lehtëson qarkullimin e qytetarëve brenda qytetit”, ka thënë Emini.