Mungesa e pjerrinave në disa klinika të QKUK-së po vazhdon t’ua pamundësojë qasjen e lirë personave me aftësi të kufizuara, grave shtatzëna dhe prindërve me karroca fëmijësh. Edhe pse ishin paraparë ndërtimi dhe renovimi i pjerrinave ekzistuese në disa objekte, tenderi për realizimin e këtyre punimeve ka dështuar
Personat në karrocë nuk mund t’i qasen Klinikës së Gjinekologjisë.
Hyrja brenda në objekt është e vështirë edhe për prindërit që bartin fëmijët me karroca apo persona që kanë valixhe.
Në hyrjen kryesore të Klinikës mungon pjerrina për qasje të lirë. Janë tetë shkallë, të cilat paraqesin pengesë për gratë shtatzëna dhe pacientët me vështirësi në lëvizje.
Ambulancat specialistike dhe ato të pranimit ndodhen në katet përdhese. Për t’u futur tek ato, në dispozicion janë vetëm shkallët.
“Nuk hyj dot, pa pasë një diçka, kështu...”, u ankua një qytetare.
Ndërtimi i një pjerrine që siguron qasje të lehtë dhe të barabartë është kërkesë edhe e pacientëve që folën në kushte anonimiteti.
“Do të ishte shumë më mirë bile me e qitë, do me thënë me i kry punët sa më mirë, me pasë edhe ata përparësi për me hy e me dalë”, ka thënë ai. “Më lehtë do të ishte me pasë lëvizje më të mirë, me pasë përparësi krejt, çdo pacient, çdo nanë që vjen me fëmijë të vogël, duhet me pasë përparësinë e vet për me hy e me dalë”.
Përveç në Gjinekologji, pjerrina mungon edhe në ndërtesat e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Kirurgjisë Maksilofaciale dhe Klinikës së Internos.
Objekti i Klinikës së Gjinekologjisë është një nga gjashtë objektet ku ishte paraparë intervenimi për ndërtimin e pjerrinave. Megjithatë, ky intervenim ka dështuar, pasi tenderi për realizimin e tij është anuluar këtë javë.
Tenderi i iniciuar nga QKUK-ja në shtator parashihte ndërtimin e pjerrinës në Klinikën e Gjinekologjisë, pastaj renovimin e pjerrinave dhe hapësirave përreth në Klinikën e Pulmologjisë, atë të Neurologjisë, të Onkologjisë, në Barnatoren Qendrore dhe te plateja e Lavatores Qendrore.
Tenderi u anulua me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Ky është aktiviteti i dytë prokurues për pjerrinat që ka dështuar.
Në QKUK nuk janë përgjigjur në pyetjet se si është planifikuar të përmbyllet me sukses aktiviteti i radhës i prokurimit, pas dy dështimeve radhazi.