Arbëri

Pacientët detyrohen t’i blejnë edhe ilaçet më bazike

Pacientët që janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së janë detyruar që t’i sigurojnë vetë disa nga barnat bazike. Ata treguan për mungesën e glukozës, antibiotikëve, vitaminave, albuminave e edhe disa barnave kundër kancerit

Në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) është evidentuar mungesë e një numri ilaçesh esenciale e bazike.

Prindër të fëmijëve të hospitalizuar në Klinikën e Pediatrisë kanë treguar të mërkurën për mungesën e tretësirave të ndryshme fiziologjike e edhe të antibiotikëve.

Në kushtin e anonimitetit, ata kanë treguar se me këtë situatë janë përballur prej kur fëmijët janë pranuar në Klinikë.

“Glukozën e kemi blerë patjetër, për çdo ditë, nga dy copa – Glukozën, Ceftriaxone që është antibiotikë”, ka thënë një nga ta.

“Ilaçe, infuziona”, ka treguar një prind tjetër, për ilaçet që i është dashur t’i blejë për fëmijën e hospitalizuar.

Situatë e ngjashme me mungesë të ilaçeve është edhe në klinika të tjera. Pacientë që janë trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë, kanë treguar për mungesa të disa produkteve.

Në këtë recetë për barna, një pacienti të mërkurën i janë shkruar katër produkte për t’i blerë në barnatore private, në mesin e tyre janë tretësira Ringer, vitamina B-comlex, një antibiotik e një albuminë.

“Infuzionet krejt i kemi ble. Po thonë: ‘nuk ka’. Kemi shku dhe i kena ble”, ka thënë familjarja e një pacienti.

“Një antibiotik e kam ble”, ka treguar familjari i një pacienti tjetër.

E, një nga familjarët e pacientëve ka treguar shumën e shpenzuar për barna gjatë ditës.
“64 euro”, ka thënë ai.

Në QKUK dhe ShSKUK gjatë ditës nuk janë përgjigjur në pyetjet për arsyen e mungesës së glukozës, albuminave e antibiotikëve.

Për mungesën e glukozës, KOHA pati raportuar edhe në fillim të vitit. Në SHSKUK në muajin mars bënë të ditur se kanë nënshkruar kontratë për furnizim me këtë produkt të 100 dhe 500 mililitrave. E pavarësisht kësaj, siç ka mësuar KOHA, pacientët prej muajsh është dashur ta blejnë këtë medikament.

Për mungesë të ilaçeve kanë treguar edhe pacientët në Klinikën e Onkologjisë. Një ta tha se javën e kaluar kur e kishte terminin për ta marrë një ilaç për kocka, por ka munguar dhe është detyruar ta blejë.

“Zometan e marr çdo katër javë. Ka mungesë. Zometan, për shembull, unë e kam ble 25 euro”, ka thënë ai.

Për sigurimin e medikamentit “Zometa”, ShSKUK-ja më 7 prill ka nënshkruar kontratë për furnizim. Në këtë institucion nuk e kanë treguar arsyen e mungesës ndonëse ka operator të kontraktuar.