Arbëri

Pacientët detyrohen të blejnë vetë edhe dorëza e flasterë

Mungesa e barnave në QKUK nuk është e vetmja sfidë me të cilën po përballen pacientët. Ata dhe familjarët e tyre po detyrohen të blejnë vetë edhe mjete elementare, si fasha e flasterë. Edhe pse SHSKUK-ja ka lidhur kontratë trevjeçare me një kompani për furnizimin me këto materiale që nga viti i kaluar, ato mungojnë

Pacientët në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës (QKUK) nuk po përballen vetëm me mungesën e barnave.

Shumë prej tyre detyrohen të blejnë vetë edhe gjëra elementare, si dorëza e flasterë.

Idriz Budakova, që e ka vëllain me dializë, këtë situatë e ka quajtur të papranueshme.

“Është mëkat i madh me një rrogë 300 euro me i ble edhe dorëzat edhe flasterët. Ministria e Shëndetësisë nuk është askund. Puna e ministrit është e barabartë me një hiç. Qeveria dhe shteti duhet të ndërmarrin diçka urgjent”, ka thënë Budakova.

Edhe Ahmet Kalisi nga Hani i Elezit, që një familjar e ka të shtruar në Onkologji, thotë se mungesa e gjërave elementare në klinikat e QKUK-së është e paarsyeshme.

“Shëndetësia te ne është bërë biznes. Është e paarsyeshme të mungojnë edhe gjërat elementare. Shumë e vështirë t’i përballojmë të gjitha ekonomikisht”, ka thënë Kalisi.

KOHA ka raportuar edhe javën e kaluar për një rast të ngjashëm, ku një grua nga Prizreni, e cila e pati burrin të shtrirë në Repartin e Kirurgjisë, ka treguar se është detyruar t’ua blinte vetë dorëzat mjekëve në momentin kur u desh intervenimi kirurgjikal.

Në prill të këtij viti, SHSKUK ka lidhur një kontratë për furnizim me disa lloje të dorëzave dhe fasha me vlerë mbi 3 milionë euro me kompaninë “Medekos”, me një afat për furnizim brenda 45 ditëve.

Edhe në vitin e kaluar SHSKUK-ja kishte lidhur një kontratë trevjeçare me kompaninë “Medekos” në vlerë rreth 6.9 milionë euro për furnizim me materiale shpenzuese, përfshirë dorëza, flasterë, sete infuzioni, gjilpëra dhe shiringa.

KOHA ka nisur pyetje në SHSKUK dhe në të gjitha klinikat për këtë çështje por, që nga 18 korriku asnjëra nga to nuk ka kthyer përgjigje.