Ka një javë që pacientët në Klinikën e Reumatologjisë në QKUK kanë shprehur ankesën për shfaqjen e insekteve në dhomat e hospitalizimit. Ata, në kushtin e anonimitetit, thanë se prania e tyre ua vështirëson gjumin natën. E në QKUK nuk dhanë sqarime konkrete nëse është adresuar problemi i ngritur prej tyre
Me këtë pamje janë përballur prej më se një jave, pacientët e shtrirë në Klinikën së Reumatologjisë.
Një pacient, që ia përcolli KOHËS fotografinë e insekteve të ngjitur në fletëngjitës, tregoi në kushtin e anonimitetit se prania e tyre në Klinikë ua vështirëson pacientëve gjumin nëpër dhomat e Klinikës.
Shqetësim të këtillë shprehën edhe pacientë të tjerë.
“Tërë natën me dritë ndezur. Nuk kemi guxuar të shkelim në tokë”, tha pacienti.
KOHA ka kërkuar leje për të vizituar Klinikën nga brenda që nga e enjtja, porse nuk ka marrë konfirmim, teksa në pyetjet dërguar Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar rreth problematikës së adresuar nga pacientët dhe nëse ai është adresuar, kjo instancë nuk dha sqarim konkret.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës në vazhdimësi ka kryer dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin në klinikat e QKUK-së, në periudha të ndryshme kohore, në klinikën në fjalë, por edhe në klinikat e tjera. Po ashtu, ekipi për parandalim të infeksioneve spitalore në vazhdimësi inspekton klinikat dhe repartet e QKUK-së dhe aty ku evidentohet nevoja për ndërhyrje, pas rekomandimeve të dhëna, ato bëhen nga ekipet përkatëse QKUK, apo nga operatorët e kontraktuar”, thuhet nga SHSKUK-ja.
KOHA të enjten kontaktoi zyrën për informim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, duke e informuar për problemin me insekte në Klinikën e Reumatologjisë. Kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, tha të shtunën se informata të ngjashme ka edhe për një klinikë tjetër dhe se inspektimet në Reumatologji do të nisen në javën tjetër.
“Unë e kam pasur informatën që në Klinikën e Neonatologjisë dhe jo nga Klinika e Reumatologjisë, për të cilën unë për momentin nuk mundem me thënë se ka apo nuk ka. Sepse ne kemi verifikuar gjendjen faktike të Neonatologjisë, siç e kemi pasur burimin e informatës. Ne do të vazhdojmë me inspektime e posaçërisht me theks të veçantë tash me informatën e re edhe në Reumatologjisë”, tha Tërshnjaku.
E Halil Ibrahimi, profesori i Biologjisë, i numëroi dëmet që insektet mund të shkaktojnë në organizëm.
“Ato në foto po duken si 'blatodeanët' që në popull njihen si 'bubashfaba'. Është fjala për insekte të grupit Blattodea që dalin kur fillon të nxehet moti në pranverë, për shkak të lagështisë së pamenaxhueshme mirë, për shkak të mosefikasitetit të dezinfektimeve, etj. Nuk janë raportuar probleme shëndetësore nga to në Kosovë, por dihet se nëse interferojnë me hapësira ku ka ose përgatitet ushqimi, ato mund të bartin baktere që shkaktojnë diarre ose sëmundje si dizenteria”, tha Ibrahimi.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë thanë se inspektimet e fundit në QKUK janë kryer në nëntorin e shkuar, dhe se inspektimi i ardhshëm, sipas planprogramit, është në fundvit.