Janë demoluar anësoret e shkallëve në hyrje të një ndërtese afaristo-banesore në qendër të Prishtinës, pa pëlqim të vlefshëm të bashkëpronarëve. Ndërhyrje të tjera janë planifikuar pasi Komuna ka dhënë dritën e gjelbër përmes një dokumenti të titulluar “Informim”, të lëshuar gjatë fushatës zgjedhore. Në këtë kohë, hapësira të biznesit që synon t’i bëjë ndërhyrjet, iu dhanë në shfrytëzim LDK-së
Pas rreth tre muaj që e ka thyer murin e shkallëve, “Lesna Trade” ka planifikuar punë të tjera në tarracë dhe hyrje të ndërtesës afaristo-banesore që gjendet në rrugën “Rexhep Luci” në qendër të Prishtinës. Veprimet janë ndërmarrë pa pëlqim të noterizuar të banorëve.
Projekti përfshin vetëm dy katet në pronësi të “Lesna Trade” dhe prek hapësirat e përbashkëta të banorëve dhe të disa bizneseve.
Komuna e Prishtinës drejtohet nga LDK-ja, parti që në fushatën për zgjedhjet lokale ka shfrytëzuar hapësira ku tash synohet të bëhen ndërhyrje. E, pikërisht në kohë fushate, Drejtoria e Urbanizimit e Prishtinës ia ka kumtuar “Lesna Trade”-s nëpërmjet një dokumenti të titulluar “Informim” se mund ta realizojë projektin pa pasur nevojë për leje ndërtimore.
Komuna e Prishtinës nuk u ktheu përgjigje pyetjeve të KOHËS në lidhje me këtë rast. Njëjtë vepruan edhe përfaqësuesit e “Lesnas”.
E, në Ministrinë e Mjedisit theksuan se Ligji për ndërtesat e banimit në bashkëpronësi kërkon pëlqimin e plotë dhe të vlefshëm për çdo ndërhyrje që prek pjesët e përbashkëta të ndërtesës, e po ashtu edhe lejen paraprake nga komuna.
“Ndërtesa e banimit në bashkëpronësi përbëhet nga njësi individuale dhe pjesë të përbashkëta. Neni 6 përcakton se pjesët e përbashkëta (përfshirë çatinë, fasadën dhe tarracat) janë në bashkëpronësi të pandashme te të gjithë pronarëve. Neni 17, paragrafët përkatës, përcakton se çdo ndërhyrje, ndryshim apo përmirësim që prek pjesët e përbashkëta ose strukturën e ndërtesës nuk mund të bëhet pa miratimin e bashkëpronarëve, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit.
Edhe në shkresën që Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës ia ka lëshuar “Lesna Trade”-s në kohë fushate, pranohet se deklaratat përkatësisht pëlqimet nga banorët, janë të panoterizuara.
Krahas thyerjes së murit të shkallëve, projekti parasheh punime edhe në shkallë që janë hapësirë e përbashkët e dy objekteve të banimit kolektiv dhe tri bizneseve, e po ashtu edhe ndryshime në tarracë, e cila shërben për kalim dhe për qasje në hyrjet e ndërtesave. Mes punëve të listuara është edhe shtimi i një rampe për persona me nevoja të veçanta.
Kompania “MAXI” që zhvillon veprimtarinë një kat më poshtë, ka kërkuar nga Komuna pezullim punimesh, pasi ka vlerësuar se ato janë të jashtëligjshme.
“Për këto arsye, kërkojmë me urgjencë nga: 1. Drejtoria e Inspektoratit, ndalimin e menjëhershëm të çdo punimi dhe çdo ndërhyrjeje që prek pronën, strukturën, pjesët e përbashkëta dhe reklamat e subjektit Norwegian PX Kosovë Sh.p.k.; 2. Drejtoria e Urbanizmit, të na informojë zyrtarisht mbi bazën ligjore të lëshimit të dokumentit të titulluar ‘Informim’, i cili bie ndesh me nenin 5 të Ligjit për Ndërtim, si dhe me Udhëzimin Administrativ Nr. 08/2023 për Ndërtimet për të cilat nuk kërkohet leja ndërtimor”, thuhet në kërkesën e “MAXI-it”.
Ky biznes ia ka bashkëngjitur shkresës edhe paralajmërimin se në mungesë veprimesh rezervon të drejtën që të paraqesë kallëzime penale për tejkalim të kompetencave dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndërsa, në një shkresë të inspektoratit të Prishtinë thuhet se pas përfundimit të veprimeve inspektuese dhe shqyrtimit të dokumentacionit, palët do të njoftohen për masat. E, i autorizuari i “MAXIT”, avokati Visar Kastrati, ka thënë për KOHËN se punimet janë pezulluar pas një marrëveshjeje mirëkuptimi të arritur me Komunën e Prishtinës.