Arbëri

Osmani: Thirrjet e Vuçiqit për luftë, jehonë e rrezikshme

Ka nxitur reagimin e presidentes Vjosa Osmani, deklarimi i homologut të saj serb, Aeksandër Vuçiq se të gjithë po përgatiten për luftë dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën. Osmani theksoi se thirrjet e Vuçiqit për luftë janë jehonë e rrezikshme dhe se me gjakderdhje të reja do që ta ruajë sundimin

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë të shtunën se thirrjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së fundit.

Në një postim në platformën X, Osmani ka theksuar se Vuçiqi po tregon se nuk ka zgjedhur rrugën e pajtimit.

“Pavarësisht viteve të angazhimit të palodhshëm amerikan dhe evropian për të hapur rrugën drejt paqes së qëndrueshme, Vuçiqi po i tregon botës se nuk ka zgjedhur rrugën e pajtimit. Në vend që të kthejë faqen, Vuçiqi dhe regjimi i tij po flirtojnë përsëri me të njëjtat fantazi shkatërruese që dikur shkatërruan jetë të pafajshme të panumërta”, ka shkruar Osmani. “E kemi parë këtë edhe më parë”.
Një ditë më parë, Vuçiqi ka thënë se të gjithë po përgatiten për luftë dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën. Deklarimin e bëri pasi u pyet nga një gazetar për thirrjen e presidentes Osmani, që Evropa t’i parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.

“E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet, ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po e presin fillimin”, ka thënë presidenti i Serbisë.

E një ditë pas, të shtunën, presidentja Osmani ka ngritur një paralele mes Vuçiqit dhe kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

“Në vitet ’90, Sllobodan Millosheviqi e zgjodhi luftën gjenocidale si instrumentin e tij të fundit në pushtet. Ai kreu dhunë jonjerëzore në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe më pas në Kosovë – të gjitha të dokumentuara që bota t’i shohë. Përmes makinës së tij të propagandës, me Vuçiqin si shef të propagandës, ai ka nxitur urrejtje që ka çuar në vrasje sistematike, varreza masive, shkatërrim dhe izolimin më të thellë të Serbisë. Pushteti i tij përfundoi në turp: i rrëzuar nga populli, i gjykuar si kriminel lufte dhe i kujtuar si njeriu që çoi kombin e tij në rrënim dhe si kasap i Ballkanit”, ka shkruar Osmani, në reagimin ndaj deklaratës së Vuçiqit. “Tash, Vuçiq duket se beson se mund të ringjallë të njëjtën formulë helmuese: nxitjen e konfliktit, bixhozin me jetë, dhe bastin se gjakderdhja do ta ruajë sundimin e tij. Por, historia është e qartë dhe e pamëshirshme: Millosheviq dështoi – kështu do t’i ndodhë edhe Vuçiqit”.

Vuçiq ka qenë ministër informacioni në Serbi gjatë viteve kur ky shtet ka kryer krime në Kosovë. Gjatë asaj lufte janë vrarë rreth 13 mijë njerëz dhe mijëra të tjerë janë zhdukur, rreth 1.600 prej të cilëve vazhdojnë të jenë ende të pagjetur. Atëkohë, janë dëbuar nga Kosova rreth 1 milion shqiptarë.

Serbia kapitulloi pas fushatës së bombardimeve nga NATO. Kosova e ka shpallur pavarësinë në shkurtin e 2008-s, por Serbia vazhdon ta konsiderojë si pjesë të saj.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka zgjedhur paqen dhe se do ta mbrojë atë me çdo kusht.

“Historia është e qartë dhe e pamëshirshme. Millosheviqi dështoi dhe kështu do të ndodhë edhe me Vuçiqin. Lufta nuk është mjet lidershipi. Është streha e fundit e udhëheqësve që kanë humbur legjitimitetin, që nuk mund të frymëzojnë me vizion dhe që nuk shohin rrugë përpara përveçse përmes shkatërrimit. Nga ana tjetër, Kosova ka zgjedhur paqen. Paqen, të cilën ne do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka shkruar ajo.

Një ditë më parë, presidentja Osmani ka bërë thirrje për vendosmëri ndërkombëtare ndaj shteteve si Serbia që synojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Para trupave shumëkombëshe, në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, ajo ka thënë se ende ka përpjekje për të zhbërë gjithçka që është arritur në Kosovë dhe për ta kthyer vendin prapa në të shkuarën.  

“Për ta, përgjigjja jonë duhet të jetë e vendosur. Përkëdhelja e diktatorëve dhe e autokratëve nuk mund të jetë përgjigje, siç e ka dëshmuar edhe historia herë pas here. Partneriteti nuk mund t’u jepet atyre që kryejnë agresion ndaj fqinjëve. Vetëm përmes qëndrueshmërisë dhe qartësisë mund të mbrojmë paqen, stabilitetin dhe të ardhmen që të gjithë kërkojmë”, ka thënë ajo.

Thirrje të ngjashme por drejtuar kryesisht Bashkimit Evropian (BE), presidentja Osmani ka bërë edhe të enjten në Danimarkë, ku ka marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Nga Kopenhaga, ajo ka thënë se Serbia, si satelit i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, nuk duhet të përkëdhelet nga BE-ja dhe se Serbia dhe Rusia paraqesin kërcënim për Kosovën.

Në 2023-tën Kosova u përball me sulm terrorist në veriun e banuar kryesisht me serbë, dhe autoritetet kanë theksuar se sulmi është sponsorizuar nga shteti Serb. Pas sprapsjes së anëtarëve të grupit, tre nga të cilët u vranë e tre të tjerë u arrestuan, policia konfiskoi arsenal ushtarak në vlerë mbi 5 milionë euro që ata e lanë pas. Më shumë se 40 anëtarë të grupit, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë, strehohen në Serbi, përfshirë përgjegjësin kryesor Milan Radoiçiq, i cili është pjesë e “listës së zezë” të SHBA-së. Në Serbi janë duke u strehuar edhe të dyshuar për sulme gjatë protestave të dhunshme në veri të Kosovës, gjatë të cilave u plagosën rëndë dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka njoftuar të premten se ka zhvilluar një takim me Vuçiqin në Kopenhagë dhe se biseda ishte e fokusuar në rëndësinë e llogaridhënies për sulmet ndaj trupave të KFOR-it dhe Banjskën.