Presidentja Vjosa Osmani, derisa ka folur për vonesën nëntëmujore në procesin e krijimit të qeverisë, ka thënë se përgjegjësia për këtë vonesë nuk i takon asaj.
“Mos të harrojmë që janë vonesa nëntëmujore që nuk i kam kërkuar, as përkrahur e as shkaktuar unë si presidente. Kështu që 9 muaj i kemi pritur partitë politike, deputetët e Kuvendit. Kam shpresuar që do të bëjnë durim në këto dy javë”, ka thënë ajo në adresimin e saj për media të hënën.
Osmani ka deklaruar se ftesa për seancën e Kuvendit për formimin e qeverisë do të bëhet brenda afateve kushtetuese, ndërsa ka sqaruar pozicionin e saj lidhur me procedurat që pasuan dështimin e mandatit të parë.
Sa i përket çështjes së nënshkrimeve dhe mbështetjes në Kuvend, Osmani u shpreh se një vlerësim i tillë do të kishte qenë i vlefshëm vetëm në rastin e dy kandidatëve potencialë, për të parë se cili ka gjasat më të mëdha.
Ajo shtoi se proceset tashmë po i afrohen fundit dhe se shumë shpejt do të dihet se si do të procedohet me hapat e ardhshëm drejt formimit të qeverisë së re.