Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar myslimanët me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ajo ka përcjellë urime për paqe, harmoni dhe begati.
Osmani ka thënë se Kurban Bajrami është thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore.
“Kjo festë shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh. Në këtë ditë të veçantë, uroj që në secilën shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë”, është shprehur presidentja.
Abdixhiku: Le të jetë kjo ditë reflektimi dhe solidariteti
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke uruar reflektim e solidaritet.
Kreu i LDK-së ka theksuar rëndësinë e kësaj dite për paqen dhe dashurinë ndërnjerëzore.
“Kjo ditë e sakrificës, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit le të na shërbejë si reflektim e kujtesë për vlerat më të larta njerëzore, përkushtimin ndaj Krijuesit, dashurinë për njëri-tjetrin, dhe gatishmërinë për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Në këtë festë ju uroj shëndet, lumturi dhe begati; me besim që harmonia dhe mbarësia të jenë gjithnjë udhërrëfyes në shoqërinë tonë. Me fat, Kurban Bajramin”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Besimtarët myslimanë festojnë sot ditën e Kurban Bajramit.
Krasniqi: Të frymëzohemi nga festa për të qenë më të përkushtuar ndaj atdheut
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar festën e Kurban Bajramit duke thënë se sot, kur shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë për solidaritet dhe mirëbesim, duhet frymëzuar nga kjo festë për të qenë më pranë njëri-tjetrit dhe më të përkushtuar ndaj atdheut.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se kjo ditë rikujton edhe që përballë çdo sfide, padrejtësie apo dhembjeje, duhet të qëndrojnë më lart mëshira, afërsia, mirëkuptimi dhe falja.
“Sakrifica personale në emër të një të mire më të madhe. Uroj që këto vlera të na udhëheqin në familje, në shoqëri, në vendimmarrje dhe në jetën tonë të përditshme”, ka shtuar ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, gjatë vizits në BIK, ka thënë se angazhimi i përbashkët duhet të jetë për shtetin e Kosovës.
“Kjo ditë e sakrificës, është kur duhet të gjendemi pranë atyre që janë në nevojë dhe kalojnë momente të vështira në vendin tonë. Po ashtu, angazhimin tonë do ta kujtojmë që ta kemi për shtetin e Kosovës, për ndërtimin e institucioneve të fuqishme, si shtet në ndërtim e sipër”, tha Tahiri në BIK.
Haradinaj: Uroj të na i hapë rrugët Zoti, populli ynë e meriton zhvillimin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar besimtarët myslimanë në ditën e Kurban Bajramit.
Në vizitën që ka bërë në Bashkësinë Islame të Kosovës, Haradinaj ka uruar zhvillim e përparim për Kosovën.
“E patëm nderin sot të vijmë dhe të urojmë myftiun tonë dhe të gjithë kolegëve e besimtarëve shqiptarë myslimanë dhe gjithë kombit tonë festën e Kurban Bajramit. Festë që lidhet edhe me sakrificën, për t’iu qëndruar afër atyre që kanë nevojë. Është dëshmuar një solidaritet i madh dhe i ndërsjellë. Uroj të na çel Zoti rrugët si popull, sepse meritojmë zhvillim dhe të mirën e vendit”, tha ai.
Kurti: Kurban Bajrami është ftesë për secilin që të angazhohet për barazi
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar besimtarët në festën e Kurban Bajramit.
Ai ka bërë thirrje për solidaritet, teksa ka thënë se kjo festë përkujton rëndësinë e të dhënit dhe ndarjes me njëri-tjetrin.
“Pranë familjes, pranë të afërmve e më të dashurve tanë, e festojmë këtë ditë duke qenë zemërgjerë e duke shtuar solidaritetin. Kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri. Andaj ajo është gjithashtu ftesë për secilën e secilin që të angazhohet për barazinë si fill të shoqërisë, e ku begatinë dhe mirëqenien i gëzojnë të gjithë”, ka shkruar Kurti në Facebook.