Është shënuar Dita e Dëshmorëve të Prishtinës, gjatë së cilës përfaqësues të lartë shtetërorë bënë homazhe te varrezat në “Velani” dhe te shtatoret e heronjve. Presidentja Osmani theksoi se sakrifica e dëshmorëve është udhërrëfyes për secilin e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ata na rikujtojnë çdoherë çmimin e lirisë dhe dashurinë e madhe për vendin
Kurora lulesh janë vendosur të premten në varreza të dëshmorëve në kryeqytet, për të kujtuar rënien e 27 dëshmorëve, 16 martirëve, si dhe 115 civilëve të vrarë në masakrën më të madhe në Komunën e Prishtinës.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se themelet më të forta të shtetit qëndrojnë për shkak të sakrificës së dëshmorëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Këtu në ‘Velani’ prehen një numër i madh i dëshmorëve të cilët kanë dhënë jetën për Kosovën, që është edhe një dëshmi për luftën e gjatë, për lirinë, për pavarësinë dhe shtetin që e gëzojmë sot. Prandaj, i përkujtojmë të gjithë me respektin më të thellë dhe çdo ditë udhërrëfyes e kemi pikërisht sakrificën që dhanë këta dëshmorë në tokën e Kosovës, e cila është e larë më gjak”, ka thënë Osmani.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me anëtarë të kabinetit, si dhe me një numër deputetësh e asamblistësh të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ka bërë homazhe fillimisht te Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve, e më pas te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.
“Dëshmorët dhe martirët i kujtojmë gjithmonë për veprat e tyre sublime, e ata na rikujtojnë çdoherë çmimin e lirisë dhe dashurinë e madhe për vendin. I vizitojmë për t'u përkulur para tyre, e i nderojmë më së miri duke e forcuar çdo ditë e më shumën Republikën tonë të dashur”, ka deklaruar Kurti.
Nderime ka bërë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i shoqëruar nga ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa-Remi.
“Kjo ditë do të jetë e tillë për çdo vit e mot, çdoherë. Dëshmorët e heronjtë tanë i kemi gjithmonë në zemrat dhe mendjet tona”, është shprehur Rama.
E Rrustem Mustafa tha se sakrifica e të rënëve do të nderohet gjatë.
“Sot është ditë e madhe për Prishtinën, është dita e dëshmorëve të Komunës së Prishtinës. I uroj të gjithë qytetarët, familjet e dëshmorëve, ushtarët e UÇK-së dhe qytetarët në përgjithësi... Po i nderojmë me ato mundësi që i kemi dhe do t’i nderojmë për gjatë”, ka thënë Mustafa.
Homazhe kanë bërë edhe familjarë të dëshmorëve e qytetarë të tjerë.