Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, sidomos atyre që planifikojnë të udhëtojnë për festat e fundvitit, që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë.
Në një njoftim në Facebook të martën, Osmani theksoi se dje e kishte pritur në takim ish-policin Arbnor Spahiu, i cili u lirua nga burgu në Serbi javën e kaluar. Dhe nga aty bëri apel që të shmanget kalimi nëpër Serbi.
Sipas Osmanit, institucionet dhe strukturat në Serbi vazhdojnë të jenë të njëjta në mendësi me regjimin e kaluar serb, duke paraqitur rrezik për qytetarët kosovarë.
Spahiu ishte arrestuar në qershor të këtij viti nga Serbia nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë të Zveçanit.
Gjatë ditës së sotme nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, konfirmoi se Serbia ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së. Sipas tij, Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, që u arrestua sot, ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare.