Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar të premten një takim konsultativ me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit.
Takimi vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e 26 qershorit për konstituimin e Kuvendit.
Presidentja Osmani theksoi se respektimi i këtij afati është detyrim i qartë kushtetues dhe kërkoi veprim në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit ndërmjet subjekteve parlamentare, në funksion të interesit qytetar dhe vazhdimësisë demokratike të institucioneve.
Kjo është pjesë e një serie takimesh që presidentja ka zhvilluar me të gjitha partitë parlamentare, me përjashtim të Listës Serbe. Në një konferencë të mbajtur dje, ajo paralajmëroi se javën e ardhshme do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarim mbi veprimet që duhet të ndërmerren në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit.