Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani pret “sqarimin” e Kushtetueses për emërimet në KQZ

Vjosa Osmani

Foto: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është duke pritur një sqarim të Gjykatës Kushtetuese se a i takon Lëvizjes Vetëvendosje t’i ketë tre anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo Partisë Demokratike të Kosovës dy.

Një ditë më parë u bë e ditur se Osmani i është drejtuar Kushtetueses me kërkesën për sqarime lidhur me emërimin e përbërjes së re të KQZ-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas zgjedhjeve të 2021-tës, nga partitë shqiptare, LVV-ja ka pasur dy anëtarë, PDK-ja dy, ndërsa LDK-ja e AAK-ja nga një. Por, dilema për përfaqësimin e ardhshëm në KQZ është ngritur pas propozimit të tre kandidatëve nga Vetëvendosje.

Të njëjtën dilemë Osmani e pati edhe më 2021 kur Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet me mbi 50 për qind të votave dhe e ka kërkuar edhe anëtarin e tretë në KQZ. Edhe atëherë, presidentja iu pati drejtuar Kushtetueses për sqarime, porse Gjykata nuk e pati trajtuar lëndën, e për rrjedhojë Osmani nuk ka emëruar tre kandidatë të LVV-së, por e ka emëruar kandidatin e dytë të PDK-së në KQZ.

Ndryshe nga përbërja në shkuarje, në të renë Osmani nuk e ka emëruar anëtarin e dytë të PDK-së, ndonëse kësaj partie i ka kërkuar që t’i propozojë emrat e kandidatëve.

E të mërkurën, Osmani ka thënë se po pret sqarime nga Kushtetuesja. Ajo ka vlerësuar se për dallim me rastin e para pesë vjetëve, tani kërkesën në Kushtetuese e ka bërë mbi një nen tjetër.

“(Pse nuk ka përfunduar emërimi i përbërjes, v.j.) Për shkak se janë kërku tre nga Vetëvendosja, janë emëru vetëm dy. Janë kërku dy nga PDK-ja, është emëruar një, për shkak se ka më shumë propozime sesa që i lejon Kushtetuta. Dhe meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë. Mirëpo ky rast ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti Thaçi, qoftë nga ana ime. Se kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykata ta sqarojë. Momentin që sqarohet, vijohet me emërimet”, ka thënë ajo, transmeton Ekonomia Online.

Sipas saj, Kushtetuesja nuk ka marrë vendim në të kaluarën për këtë çështje.

“Jo, nuk e ka sqaruar fare. Pra, nuk ka marrë vendim. Në fakt, atëherë gjykata, meqenëse ne e kemi ngritur lëndën mbi bazën e nenit 84 pika 9, pra kemi dërguar kërkesë për sqarim, ka thënë që nuk mund të bëjë sqarime shkaku i një standardi të ri që e ka ndërtuar gjykata. Ndërkaq, tani e kemi ngritur rastin mbi një bazë tjetër kushtetuese, pra nenin 113 të Kushtetutës, dhe shpresoj shumë që gjykata do ta japë përgjigjen. Pra, nuk është që vetëm një anëtar i PDK-së nuk është emëruar; edhe një i VV-së nuk është emëruar, në qoftë se i shohim propozimet e tyre. Dhe meqenëse aty është veç një vend, nuk i zë dy, duhet me pyet gjykatën se si të veprohet”, tha ajo.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, Kushtetuta thotë se grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

Në PDK, nëpërmjet një konference për shtyp, të martën, kanë shprehur shqetësim pasi presidentja nuk i ka emëruar të dy anëtarët e saj.

Në këtë parti kanë thënë se presidentja e ka shkelur Kushtetutën me refuzimin që ta emërojë kandidatin e PDK-së.

“Presidentja Osmani, në shkresën e datës 9 mars drejtuar kryetarit Bedri Hamza, ka kërkuar që t’i propozojmë me shkrim kandidatët për anëtarë të KQZ-së. Pra, jo propozimin e një kandidati, siç e ka certifikuar tani, por të kandidatëve, në shumës. Prandaj, ajo ka përgjegjësinë që para qytetarëve të sqarojë se çfarë e shtyri që në momentet e fundit të tërhiqej nga rruga kushtetuese dhe ligjore e emërimit të anëtarëve të PDK-së në KQZ”, ka thënë Betim Gjoshi, anëtar i Kryesisë së PDK-së.

Në PDK kanë thënë se e kanë një drojë tjetër nëse Osmani e përfundon mandatin pa e emëruar kandidatin e tyre të dytë.

“Pas datës 4 prill në postin e së parës së shtetit do të vendoset si ushtruese detyre, Albulena Haxhiu, një person me bagazh të madh antikushtetues dhe antiligjor, e cila sigurisht se është e gatshme për kapitalizimin e shkeljes së radhës të Kushtetutës së Kosovës dhe të vendosë në mënyrë arbitrare që PDK-së të mos i takojë e drejta për përfaqësim në KQZ me dy anëtarë”, ka thënë Gjoshi.

Nga partitë shqiptare, presidentja ka emëruar Alban Krasniqin dhe Violeta Eminin si përfaqësues të LVV-së, Ilir Gashin të PDK-së, ndërsa nuk e ka emëruar Rashit Qalajn.

Nga LDK-ja e ka emëruar Sami Hamitin, ndërsa nga AAK-ja, Muharrem Nitajn.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, mandati i anëtarëve të KQZ-së fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve. Ky afat përfundon më 10 prill.

Në Kushtetutë theksohet se gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, Kushtetuta thotë se grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.