Arbëri

Osmani për takimin me liderët e partive: Ky është veç fillimi i një serie takimesh

Vjosa Osmani

Foto: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se do t’i vazhdojë takimet me liderët e partive politike edhe pas së enjtes, 15 maj, për zhbllokimin e situatës politike.

Ajo ka thënë se secili duhet ta vë interesin shtetëror si primar, ndërsa shtoi se moskonstituimi i Kuvendit e rrezikon funksionimin kushtetues të institucioneve.

“Ky është vetëm fillimi i një serie takimesh, ne do t’i vazhdojmë diskutimet, varësisht se si shkojnë diskutimet nesër, do të vazhdojmë qoftë në atë format, qoftë në formate të ngjashme, qoftë në takime një nga një me liderët e partive. Jemi në zbatim të rolit tonë kushtetues. Moskonstituimi i Kuvendit të Republikës se Kosovës e rrezikon pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve, që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët. Shpresoj që secili do të angazhohet duke vënë si parësor interesin e vendit”, ka theksuar Osmani në konferencën me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.