Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot nga presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, në Lohn Manor – rezidenca zyrtare e Këshillit Federal të Zvicrës.
Kjo pritje u zhvillua në kuadër të vizitës shtetërore që presidentja Osmani po realizon këto ditë në Zvicër.
Pas takimit bilateral, Presidentja Osmani do të pritet me nderime ushtarake në Sheshin Federal në Bernë. Më pas, të dyja presidentet do të japin deklarata për media nga Ndërtesa e Parlamentit/Këshilli Federal.
Vizita do të vazhdojë me një konferencë të përbashkët për media të dy lidereve, ku pritet të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe roli i diasporës kosovare në Zvicër. Gjatë qëndrimit në Zvicër, Osmani do të zhvillojë gjithashtu një takim me mërgatën shqiptare në qytetin e Gjenevës.
"Faleminderit për mikpritjen, miqësinë dhe nderimin, presidente Keller-Sutter! Kjo vizitë e parë shtetërore në Zvicër që po fillon në rezidencën zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës është dëshmi se bashkë po shkruajmë kapitullin e ri të historisë së partneritetit midis shteteve dhe popujve tanë!" - ka shkruar Osmani në Facebook.
“Moment historik në marrëdhëniet Zvicër – Kosovë! Sot, presidentja Vjosa Osmani dhe z. Prindon Sadriu gjenden në Zvicër për vizitën e parë shtetërore ndonjëherë të Kosovës. Në ‘Landsitz Lohn’ e bukur ata u takuan me presidenten e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe dy delegacionet për bisedime të nivelit të lartë”, ka njoftuar Ambasada e Zvicrës në Kosovë.
Konferenca e përbashkët pritet të mbahet nga ora 15:30.

Osmani: Zëri i Zvicrës për Kosovën ka qenë gjithmonë i qartë
Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse ndaj Zvicrës për përkrahjen e vazhdueshme, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para Këshillit Federal të Zvicrës.
Osmani ka thënë se Kosova dhe Zvicra kanë ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme që nga mbështetja për përpjekjet për liri.
“Këtu pikërisht në Zvicër shumë nga përpjekjet për liri të Kosovës kanë gjetur përkrahje dhe mbrojtje. Kosova do mbetet përgjithmonë mirënjohëse. Me qindra mijëra njerëz sot me origjinë nga Kosova jetojnë në këtë vend të mrekullueshëm. Kështu kemi thyer pengesa dhe kemi ndërtuar marrëdhënie”, ka thënë ajo.
Osmani ka shtuar se zëri i Zvicrës krah Kosovës ka qenë i palëkundur në rrugëtimin e saj për liri dhe shtetndërtim.
“Në Kosovë ne jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme, stabile të Zvicrës që na ka ndihmuar në rrugëtimin tonë demokratik. Zëri i Zvicrës ka qenë i qartë shumë herë sepse kur u bë vendi më i ri në Evropë për të folur hapur se zgjidhja e vetme që do sillte paqe afatgjate ishte pavarësia, liria. Në atë kohë ishte vetëm Zvicra që e përkrahte, por ajo nuk është ndalur, ka vazhduar me përkrahjen. Na keni ndihmuar në rindërtimin e shtetit që është ngritur nga hiri pas luftës së tmerrshme”, ka përfunduar presidentja.
Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, ka thënë se refugjatët shqiptarë që i ikën luftës në Kosovë e u bënë banorë të Zvicrës kanë ndihmuar në rritjen ekonomike dhe ndërtimin e shtetit.
“Sot gjenerata të panumërta të dyta dhe të treta që ishin shtetas të Zvicrës me prejardhje nga Kosova e quajnë Zvicrën shtëpinë e tyre. Ata janë bërë pjesë e shoqërisë sonë, qoftë nga futbolli, mësimdhënës, mekanikë apo politikanë. Të gjitha ata kanë ndihmuar ta ndërtojnë kombin tonë për dekada. Historitë e tyre të suksesit janë po ashtu histori të suksesit të Zvicrës”, ka thënë ajo.