Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se duhen rregulla të reja, më të shpejta dhe një kornizë ligjore më e mirë, si dhe bashkëpunim mes vendeve, në mënyrë që të luftohen bandat kriminale që po keqpërdorin mangësitë aktuale në rregullat për azil.
Osmani ka folur në tryezën e organizuar nga ndihmës-sekretari i Shtetit i SHBA-së, Christopher Landau, me titullin “Sistemi Botëror i Azilit: Çfarë shkoi keq dhe si të rregullohet”.
Diskutimi u mbajt në New York.
Osmani ka treguar për kohën e saj si refugjate gjatë luftës në Kosovë. Ajo ka thënë se dëmi më i madh ndaj refugjatëve të vërtetë është abuzimi i këtij sistemi nga bandat kriminale.
Osmani ka thënë se me shtetet evropiane bashkëpunojnë në luftimin e kriminalizimit e abuzimit të sistemit.
Ajo ka thënë se është krenare që Kosova është shteti i parë në Evropë që ka nënshkruar marrëveshje me SHBA-në për të marrë persona nga shtetet e treta të dëbuar nga SHBA-ja, të cilët më pas do të kthehen në shtetet e tyre të origjinës.
“Jemi shumë krenar, që jemi shteti i parë dhe i vetëm në Evropë, që ka nënshkruar marrëveshje me SHBA-në për shtete të treta, për ta përkrahur agjendën e presidentit Trump për luftimin e migracionit ilegal. Jemi të gatshëm të përkrahim shtetet që kanë nevojë për përkrahjen e Kosovës, ndonëse jemi shtet i vogël”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se Kosova është bërë edhe shteti i parë që ka harmonizuar me SHBA-në listën e organizatave terroriste, duke përfshirë edhe tre urdhrat e fundit ekzekutivë të presidentit amerikan Donald Trump.
“Kur dikush quhet organizatë terroriste apo kartel, pasi rrezikon sigurinë e SHBA-së, atëherë quhet terroriste edhe në Republikën e Kosovës. Ky lloj bashkëpunimi na duhet, me qëllimin që sistemi të përdoret për të mbrojtur ata që kanë nevojë...Të përfundojë duhen rregulla të reja, më të shpejta e një kornizë ligjore më agjile...Të mos lëmë bashkëpunimin mes rrjeteve kriminale të jetë më i fortë sesa bashkëpunimi mes shteteve”, tha Osmani.