Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se në fund të muajit maj ka pranuar informacione nga institucionet e sigurisë për një përshkallëzim të mundshëm të planifikuar nga Serbia. Ajo siguroi qytetarët se nuk ka nevojë për panik.
Osmani të enjten pasdite ka mbajtur konferencë për media në Prishtinë duke dhënë detaje të reja për deklaratat që bëri gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se, presidenti amerikan Donald Trump kohëve të fundit ka parandaluar një përshkallëzim të sigurisë në Kosovë nga Serbia.
“Në fund të majit kemi marrë informacione për veprimet e Serbisë pranë kufirit me Kosovën. Këto janë informata të besueshme nga institucionet tona të sigurisë”, deklaroi Osmani, duke theksuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për mobilizimin dhe mbrojtjen e vendit.
Deklaratat e bëra në SHBA, Osmani thotë se i bëri vetëm në bazë se si ajo i ka kuptuar fjalët e Trumpit dhe nuk i ka interpretuar ato. Trumpi vazhdimisht në javët e fundit ka përmendur se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës e Serbisë.
Tutje, presidentja u shpreh se deklarimat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk janë të interesuar për përshkallëzim, janë pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme.
“Deklarimet e Serbisë se nuk dëshirojnë përshkallëzim janë pjesë e propagandës së tyre të zakonshme. Të njëjtat fjalë i kanë thënë edhe para agresionit në Banjskë në vitin 2023 dhe para sulmit në Ibër-Lepenc”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja siguroi qytetarët se nuk ka arsye për shqetësim apo panik.
“Institucionet tona janë në krye të detyrës dhe kanë gjithçka nën kontroll. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, por nuk do të lejojmë që asnjë plan destabilizues të realizohet”, shtoi ai.
Ajo shtoi se informatat për tendencat destabilizuese të Serbisë janë ndarë me publikun sa herë që ka qenë e mundur, por për shkak të natyrës së klasifikuar të disa prej tyre, kërkoi mirëkuptim nga qytetarët.
Emisari i SHBA-së, Richard Grenell, e pati akuzuar Osmanin se i ka manipuluar fjalët e presidentit Trump rreth parandalimit të përshkallëzimit të një konflikti mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se nuk ka qenë fjala për kohët e fundit.