Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve të luftës “i ka trimëruar trashëgimtarët e sulmit të Banjskës”.
Ajo ka thënë të martën në ceremoninë e organizuar për Epopenë e UÇK-së, se Kosova është realitet i pakthyeshëm e shtet i konsoliduar.
“Epopeja e Prekazit solli ndryshimin e kursit për liri e pavarësi. Si çdoherë shprehim vlerësimin e mirënjohjen me përkulje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët e lirisë. Mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve të luftës ka trimëruar trashëgimtarët siç ishte sulmi në Banjskë. Por, ua rikujtojmë se Kosova është realitet i pakthyeshëm. Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar me kushtetutë e me institucione të bazuara në vlerat më të larta evropiane”, është shprehur Osmani.
Ajo ka shtuar se 5,6 dhe 7 marsi janë ditë të lavdisë dhe të krenarisë.
“Një armatë e tërë vrastare kundër një familjeje...Nderimi më i lartë për UÇK-në e familjen Jashari është Kosova me demokraci e sovranitet në çdo cep të saj e me aleatët kudo nëpër botë”, ka potencuar presidentja.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se “ledhatimi” i padrejtësisë nuk sjell asnjëherë paqen, duke shtuar se popullin e mban “ideali i kulluar i Epopesë së Jasharëve”.
“Si në çdo mars ne jemi këtu në vendet më të duhura për kujtimin dhe kuptimin e Epopesë së UÇK-së. Në një vend çlirimtarësh, ushtria është vend i drejtë për ta kujtuar Epopenë. Ne e njohim dhe e vlerësojmë historinë tonë sepse është e dendur në vepra. Ne jemi shumë sepse bartim në mendje emra të shquar. Të nderuar ushtarakë, tani epoka po flet ndryshe së pari sepse jemi shtet i pavarur dhe kemi ushtrinë tonë. Ne jemi pjesë e një kombi që mbron me ushtrinë e vetë idenë e praktikës së drejtësisë dhe lirisë. Së dyti Epoka dhe vetëdija botërore po ndryshojnë po kuptohet se ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë kurrë paqen”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit, paqja dhe padrejtësia s’mund të bashkëjetojnë.
“Ju duhet ta shihni e vlerësoni veten si një trup e një mendje. Ne i mbahemi një ideali të kulluar të Epopesë e të Jasharëve. Ushtarakë ju jeni shprehje e qartë e seriozitetit tonë në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Lulzim Jashari, anëtar i familjes Jashari, ka thënë se është nder dhe privilegj të flitet para uniformës ushtarëve.
Nëntori dhe marsi janë muajt kur ne kthejmë vështrimin prapa për ta parë traditën tonë për të vlerësuar të tashmen dhe planifikuar të ardhmen tonë. Të dashur ushtarë, ju keni një traditë të pastër dhe të pasur. Armët tuaja janë vazhdimësi e armëve më të pastra në Ballkan dhe më gjerë. Armët e paraardhësve nuk u ndotën me gjakun e civilëve, ato shënjestruan vetëm okupatorin. Shqiptarëve nuk u ka munguar guximi, por municioni. Jemi mësuar ta qëllojmë cakun sepse është dashur të kursejmë plumbat. Ka kaluar koha kur kushtrimit të atdheut i jemi përgjigjur vetëm vullnetarisht ajo duhet të jetë obligim e detyrim”, ka theksuar ai.