Arbëri

Osmani: Koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete e të merituara për Kosovën

Vjosa Osmani+

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është koha që Bashkimi Evropian të lëvizë përpara me vendime konkrete dhe të merituara për Kosovën. 

Osmani gjatë adresimit të saj në Tiranë në samitin e liderëve të shteteve të Evropës Juglindore, ka thënë se BE-ja duhet t’i heqë masat e padrejta ndaj Kosovës dhe t’ia japë statusin e shtetit kandidat. 

“Faleminderit Presidentit Begaj për mikpritjen dhe lidershipin në këtë samit të nivelit të lartë të liderëve të shteteve të Evropës Juglindore në Tiranë. Gjatë adresimit tim, theksova se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një proces bamirësie, por investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës. Prandaj, është koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete dhe të merituara për Kosovën, përfshirë heqjen e masave të padrejta dhe dhënien e statusit të kandidatit për vendin tonë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng nga masa që i dëmtojnë drejtpërdrejt dhe që nuk i shërbejnë as paqes, as dialogut, e as të ardhmes evropiane të rajonit tonë. Orientimi i Kosovës është i qartë dhe i palëkundur: drejt BE-së dhe NATO-s, si pjesë e natyrshme e familjes euroatlantike”, ka shkruar Osmani në Facebook.