Arbëri

Osmani kërkon nga Arabia Saudite lehtësim të lëvizjes së lirë

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në një takim zyrtar nga Princi i Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed Salaman. Osmani, teksa theksoi rëndësimin e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, gjithashtu propozoi lehtësimin e lëvizjes së lirë për Kosovën përmes mundësisë së aplikimit për viza elektronike.

“Gjatë takimit, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për miqësinë dhe mbështetjen e palëkundur që Mbretëria e Arabisë Saudite i ka dhënë popullit dhe shtetit të Kosovës ndër vite. Duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe hapjes së kapitujve të rinj në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, presidentja Osmani propozoi lehtësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës përmes mundësisë së aplikimit për viza elektronike, një nismë që u mirëprit me interes të veçantë nga Lartmadhëria e Tij, Princi i Kurorës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas komunikatës, presidentja Osmani shprehu gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin me Arabinë Saudite në fushat e energjisë së rinovueshme, turizmit, bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, arsimit, inovacionit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Në këtë takim mori pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.