Arbëri

Osmani kërkon interpretim nga Kushtetuesja për pasojat nëse Kuvendi nuk konstituohet në afat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Foto: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.

Në një konferencë për media të martën pasdite, Osmani theksoi se kërkesa që e dorëzoi në gjykatë ka karakter preventiv dhe është e nevojshme për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve në vend. Ajo pret nga gjykata të shqyrtojë “konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga moskonstituimi i Kuvendit”.

Presidentja deklaroi se ky është një rast i paprecedentë në jetën politike të Kosovës dhe se mungesa e konsensusit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues ka krijuar një situatë të paqartë ligjore. Osmani u shpreh se shpreson që Kushtetuesja ta prioritizojë këtë çështje. 

“Çdo moszbatim duhet të ketë pasoja juridike, por ato deri më tani nuk janë sqaruar. Kërkesa jonë në thelb është për qartësimin e këtyre pasojave nëse Kuvendi nuk konstituohet në kohë. Kjo është një përpjekje për të parandaluar pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues të vendit”, ka thënë Osmani.

Presidentja theksoi gjithashtu se në horizont nuk shihet as konsensus e as kompromis për zgjidhjen e kësaj çështjeje përbrenda afatit.

“Qëllimi është të qartësohet situata lidhur me moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit 30 ditor dhe të sqarohet se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues në mungesë të konstituimit. Duhet të sqarohet edhe çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas 26 korrikut”.

Osmani ka thënë tutje se ka kërkuar edhe masë të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh.

“Kemi paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh. Kërkesa për masë është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në bllokadë pa fund”, ka thënë ajo duke shtuar se kjo do të nënkuptonte pezullim të afatit deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me çështjet e ngritura.

Sipas saj, masa për pezullim do të thotë se nuk do të kishte nevojë të mbaheshin seanca çdo 48-orë.

Në kërkesë, presidentja ka shprehur se ekziston konflikt real i kompetencave mes institucioneve kushtetuese, që pamundëson ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Kuvendit, Qeverisë dhe Presidentes. E në të theksohet se ky konflikt rrezikon të bëhet edhe më i thellë në rast se konstituimi nuk bëhet brenda afatit 30-ditor. 

“Siç do të argumentohet më poshtë, në rast se Kuvendi nuk arrin të konstituohet deri në ditën e 30-të pas hyrjes në fuqi të Aktgjykimit KO124/25, rendi kushtetues i Republikës së Kosovës do të jetë në krizën më të thellë kushtetuese që nga miratimi i Kushtetutës”, thuhet aty. 

Në kërkesë po ashtu theksohet çështja e sigurisë në Kosovë. Presidentja ka shpjeguar se ushtrimi i kompetencës si Komandante supreme e FSK-së lidhet me funksionalitetin e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Siç thuhet në kërkesën e saj drejtuar Kushtetueses, mungesa e një Kuvendi funksional cenon kompetencën e presidentes si Komandante supreme. 

“Në shtesë të kësaj, siç është e ditur, Kosova është në kërcënim të vazhdueshëm nga Serbia, e cila asnjëherë nuk ka hequr dorë nga destabilizimi i Kosovës. Mungesa e Kuvendit do të pamundësonte, ndër të tjera, edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në rast nevoje, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës”, thuhet aty.  

Presidentja tutje thekson se pasojat për rendin kushtetues dhe ushtrimin e kompetencave të pushteteve do të jenë “jashtëzakonisht serioze” nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30-ditor. 

Presidentja kërkon sqarim nëse konstituimi i Kuvendit pas afatit kushtetues përbën bazë për anulimin e akteve të miratuara nga një Kuvend i tillë – nëse një gjë e tillë paraqet cenim të rëndë të sigurisë juridike të qytetarëve.

Presidentja në kërkesë ka theksuar se balanca mes pushteteve është “thellësisht e dëmtuar”, duke e transformuar ndarjen e pushteteve nga një mekanizëm funksional të kontrollit dhe baraspeshës institucionale në një gjendje bllokade që rrezikon rendin kushtetues dhe efektivitetin e shtetit. 

“Vendosja e institucioneve në situata të tilla të paqartësisë lidhur me zbatimin e Kushtetutës cenon seriozisht jo vetëm ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese, por edhe autoritetin e rendit juridik dhe integritetin e vetë shtetit, duke e bërë të domosdoshëm interpretimin e qartë dhe të menjëhershëm nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet më tej në kërkesë.

Në kërkesën e presidentes theksohet që zgjidhja e këtij konflikti kompetencash paraqet nevojën që të sqarohen:

1. Pasojat juridike të mungesës së konstituimit të Kuvendit brenda afateve të caktuara në nenin 66.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.

2. Pasojat juridike të konstituimit të Kuvendit pas afateve të caktuara në nenin 66.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.

3. Autorizimet, kufizimet dhe pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që konstituohet pas afateve të caktuara në nenin 2066.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës. 

Pas katër ditësh, përfundon afati 30-ditor i Kushtetueses që e caktoi për konstituimin e Kuvendit në aktgjykimin e 26 qershorit.

Të hënën, deputetët dështuan për herë të 50-të ta konstituojnë Kuvendin. 

KËRKESA E PLOTË QË PRESIDENTJA ADRESOI NË KUSHTETUESE