Arbëri

Osmani kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës: Vuçiqi po e shënon Ditën e Evropës në Moskë

Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së Evropës, ka thënë se është më rëndësi që të kërkohet heqja e masave të Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. 

Ajo gjithashtu ka thënë se duhet të trajtohen me seriozitet politikat destabilizuese të Serbisë. 

“Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë-të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës. “Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, ka shkruar tutje Osmani.

Ajo ka thënë se në Ditën e Evropës, reflektojnë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës dhe të Bashkimit Evropian: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. 

“Këto vlera kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e përditshëm të shtetit tonë”, ka shkruar Osmani.