Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se reformat dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë e pozicionojnë Kosovën mes vendeve partnere që ndajnë të njëjtat vlera.
Ajo ka shkruar të dielën në Facebook se këto deklarime i ka bërë në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Osmanit, me SHBA-në dhe aleatët e tjera, Kosova po i forcon themelet e një rajoni më të sigurt.
“Në vazhdën e aktiviteteve në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në SHBA, sot pata nderin të jem folëse në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Reformat tona dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë Kosovën si partnere mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë. Me mbështetjen e aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatëve të tjerë, po forcojmë themelet e një rajoni më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike”, ka thënë ajo.
Një ditë më parë, në një takim me delegacionin amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Osmani është shprehur se është mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën.