Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, ku i ka kërkuar ndihmën e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa Wadephul ka përmendur disa herë nevojën për formim të Qeverisë.
Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, jo si barrë por si kontributdhënëse.
Ajo ka bërë thirrje edhe për heqjen e masave, duke deklaruar se është urgjencë e domosdoshme.
“Vizita juaj në Kosovë është një dëshmi e qasjes suaj dhe qeverisë së udhëhequr nga Merz se BE-ja mbetet e paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Populli i Kosovës e sheh Gjermaninë si aleatin më të besueshëm në gjithë kontinentin evropian. Ne synojmë të hyjmë si kontributdhënës e jo si barrë. Në këtë rrugëtim Kosova ka nevojë për mbështetjen e Gjermanisë. Heqja sa më parë e masave ndaj Kosovës është një urgjencë e domosdoshme për çka shpresojmë në përkrahjen e Gjermanisë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se roli i Gjermanisë është vendimtar. Ka shtuar se Kosova është 100 për qind e harmonizuar në politikën e jashtme të BE-së.
“Ne pajtohemi plotësisht me qasjen e qeverisë së re gjermane që rruga drejt BE-së duhet të bazohet në merita. Kosova është ekonomia me e re evropiane por është dinamike e digjitale.. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë. Përderisa Kosova mbetet nën masa të BE-së as dialogu nuk mund të konsiderohet i barabartë”, ka thënë Osmani.
Ministri gjerman, Wadephul ka thënë se Gjermaninë dhe Kosovën i lidhë një partneritet shumë i veçantë dhe i ngushtë.
Ai ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është urgjencë gjeopolitike.
“Unë kam dëgjuar që numri i nxënësve në Kosovë që mësojnë gjermanisht është jashtëzakonisht i madh.... Është mirë që Kosova është në anën tonë. Ne të gjithë duhet të ja bëjmë të qartë Rusisë se destabilizimi dhe dezinformimi nuk kanë vend... Zgjerimi i BE-së tani është urgjencë gjeopolitike”, ka thënë ai.
Ka vlerësuar se zhvillimi i Kosovës që nga përfundimi u luftës dhe që nga pavarësia është një histori e vërtetë suksesi.
Ka theksuar se Kosovës i duhet sa më shpejt një qeveri e aftë dhe se votuesit janë duke pritur formimin e qeverisë që 8 muaj.
“Ne jemi të bindur që Kosova e ka forcën dhe vullnetin për të zbatuar reformat e nevojshme. Gjermania është e gatshme që të iu ndihmojë me gjithë fuqinë që ka në këtë rrugëtim. Mbetet esenciale që gjendja këtu të mbetet e qetë.... dhe të mos vijë te konfrontimet siç ka ndodhur më 2023, 2024. Gjermania mbështet dialogun. Ky proces ka ngecur kohëve të fundit. Është shumë e rëndësishme që këtu të ketë përparim konkret. Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet shpejt dhe në plotëni, këtë e presim nga të dyja palët. Dialogu për normalizim duhet të vazhdojë me kriterin për mirëkuptim”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe krijimin e Asociacionit, derisa formimin e Qeverisë e ka quajtur vendimtar.
“Është më rëndësi që të ketë një marrje të përgjegjësisë nga ana e kryetarëve të zgjedhur të komunave në veri dhe çështja e themelimit të Asociacionit të zbatohet. Shpresoj që kjo të përfundohet me sukses. Mendoj që krijimi i një qeverie është vendimtar. Evropa i ka sytë e kthyer nga kjo”, ka thënë ai.