Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka shprehur mirënjohjen zëvendëssekretarit të Shtetit, Christopher Landau për nënshkrimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare nga presidenti Donald Trump.
Sipas Osmanit, ky ligj tregon për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e Presidentit Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media, Osmani foli poashtu edhe për zhvillimet e fundit, situatën e sigurisë në rajon, si dhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
“Presidentja theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gatishmërinë për të vazhduar punën e ngushtë me Administratën e Presidentit Trump, siç është reflektuar përmes heqjes së tarifave për produktet amerikane, marrëveshjes për shtetasit e vendeve të treta, linjëzimit me politikën e jashtme amerikane, harmonizimit të plotë të listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Trump, si dhe përmes veprimeve të tjera që dëshmojnë mbështetjen e Kosovës për Administratën e Presidentit Trump. Në këtë takim, Presidentja ka ngritur çështjen e shkeljeve flagrante nga ana e Serbisë të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, duke kërkuar përkrahjen e Administratës Trump për këtë çështje”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Osmani theksohet se ka shprehur mirënjohje ndaj, siç ka thënë ajo, politikës së qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarje. Kjo qasje, shtoi ajo, është e domosdoshme, në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë.
Osmani: Në Washington do të nënshkruhet marrëveshja për heqjen e vizave me Bahamas
“Vazhduam në Bahamas ku morëm njohjen nga ky shtet. Lidhjen e marrëdhënieve diplomatike dhe po ashtu kemi arritur dakordim me kryeministrin e Bahamas për heqjen reciproke të vizave që është një lajm shumë i mirë dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet së shpejti këtu në Washington D.C”, deklaroi Osmani pas takimit me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit.
Bahamas është bërë shteti i 121-të që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ka njoftuar presidentja Vjosa Osmani të premten e 19 dhjetorit.
Ajo ka bërë të ditur se në kryeqytetin e Bahamas ka nënshkruar marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me ishullin që gjendet në Karaibe.