Arbëri

Osmani i propozon presidentit të Singaporit liberalizim të plotë të vizave

Osmani - Singapori

Presidentja Vjosa Osmani i ka propozuar homologut të saj nga Singapori liberalizimin e plotë të vizave për qytetarët e të dyja shteteve.

Në një takim në Davos në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, Osmani ka bërë të ditur se me Tharman Shanmugaratnam kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe koordinimin në arenën ndërkombëtare. Ajo ka përmendur propozimin që pas liberalizimit të vizave të qytetarëve me pasaporta diplomatike e zyrtare të vijë hapi i liberalizimit të plotë.

“Pas liberalizimit të vizave për qytetarët tanë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, propozova që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët tanë, një hap që do të forconte edhe më tej bashkëpunimin mes dy shteteve dhe do të afronte më shumë popujt tanë”, thuhet në njoftim të Presidencës së Kosovës.

Liderët po ashtu kanë diskutuar edhe për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik dhe rëndësinë e hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të shumta.

Singapori e ka njohur Kosovën si shtet më 2016.