Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje të plotë gatishmërie për të ofruar mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet për t’i vënë nën kontroll zjarret e përhapura në territorin e Republikës.
Pas përhapjes së vatrave të shumta të zjarrit në disa komuna të Kosovës, Osmani ka thënë se institucionet e vendit janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo tutje u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë tek autoritetet përkatëse.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë tek autoritetet përkatëse. Vetëm me përgjegjësi kolektive mund ta parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve. Mbështetja dhe bashkëpunimi i secilit prej nesh është thelbësor për ta përballuar këtë situatë”, ka shkruar ajo.