Arbëri

Osmani falënderon Hungarinë për mbështetjen dhe iniciativat që kanë afruar dy vendet

Vjosa Osmani & Tamas Sulyok

Vjosa Osmani & Tamas Sulyok

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka zhvilluar takim zyrtar me presidentin e Hungarisë, Tamas Sulyok, gjatë vizitës së saj në Budapest, ku është pritur me nderime ushtarake.

Në kuadër të këtij takimi, palët diskutuan për thellimin e partneritetit dhe bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në avancimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme.

“Sot, në takim me presidentin hungarez, Tamas Sulyok, diskutuam thellimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve tona. Potenciali për rritjen e mëtejme të bashkëpunimit Kosovë–Hungari është i madh dhe vendi ynë mbetet i përkushtuar për të hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet tona”, ka shkruar Osmani pas takimit.

Ajo ka falënderuar Hungarinë për kontributin në kuadër të KFOR-it, për mbështetjen që i është dhënë studentëve të Kosovës ndër vite, si dhe për iniciativat që kanë afruar edhe më shumë dy vendet.

Pas takimit bilateral, Osmani ka marrë pjesë edhe në një drekë zyrtare të shtruar nga homologu hungarez.