Pak orë pasi caktoi 28 dhjetorin si datë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, presidentja Vjosa Osmani ka diskutuar për këtë proces me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipatti.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani në takim ka theksuar rëndësinë që ky proces të ecën mbarë dhe të respektohen standardet më të larta demokratike.
“Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe për mbajtjen e zgjedhjeve te parakohshme. Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike. Në takim u trajtuan gjithashtu edhe çështje të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e plotë për forcimin e partneritetit me aleatin më të rëndësishëm strategjik”, thuhet në njoftim.
Osmani të enjten shpërndau Kuvendin pas dy dështimeve për të zgjedhur qeverinë e re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Osmani diskuton me ambasadorin britanik për zgjedhjet e parakohshme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka diskutuar me ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Presidentja ritheksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike”, ka njoftuar Presidenca.
Në takim është diskutuar edhe për avancimin e marrëveshjeve bilaterale, përfshirë në fushën e sigurisë, mbrojtjes e ekonomisë.
“Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për avancimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj. Në këtë frymë, u diskutua edhe për përgatitjet për të shtyrë përpara iniciativën e Presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, ashtu siç ishte diskutuar me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar gjatë vizitës së tij në Kosovë”, ka njoftuar Presidenca.
