Arbëri

Osmani: E pafalshme që 26 vjet pas luftës, anëtarët e KPK-së ndihen të kërcënuar

Vjosa Osmani

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se bashkë me vendet e QUINT-it janë duke analizuar situatën që ndodhi javën e kaluar në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), ku u shkarkua ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe në bazë të analizave edhe do të reagohet.

Osmani ka shprehur edhe shqetësimin në lidhje me deklaratat e disa anëtarëve të KPK-së, të cilët në konferencën për media patën thënë se ndihen të pasigurt dhe kishin ftuar Policinë e Kosovës për t’i siguruar, dhe po në të njëjtën ditë kishin bërë thirrje edhe Agjencisë se Kosovës për Inteligjencë për të parë se çka është duke ndodhur brenda KPK-së.

“Një çështje e cila është shumë shqetësuese është që pesë anëtarë të KPK-së kanë deklaruar se nuk ndihen të sigurt dhe kanë kërkuar mbrojtje nga institucionet e sigurisë në vend dhe si presidente jam marrë me këtë me qeverinë sepse është e pafalshme që 26 vjet pas luftës ne të kemi anëtarë të KPK-së, qofshin ata prokurorë apo jo prokurorë që nuk ndihen të sigurt dhe të kërcënuar. Është me rëndësi që ata të ndihen të sigurt dhe të mund të shprehin mendimet e tyre, pavarësisht se cilat janë. Sistemi i drejtësisë në vend është ballafaquar me sfida sa i përket profesionalizmit, integritet, pavarësisë dhe paanshmërisë dhe është me rëndësi që deklaratat e mia mos të shihen si ndonjë ndërhyrje sepse asnjëherë skam ndërhyrë në sistemin e drejtësisë që t’i lemë vend edhe analizës së përbashkët që kemi me partnerët tanë rreth tentim shkarkimit…jemi në proces dhe shumë shpejtë do të kemi deklaratë të plotë”, ka thënë Osmani.

Më 20 nëntor, pesë anëtarë të KPK-së miratuan propozimin për shkarkim nga detyra e ushtruesit të Kryeprokurorit, Besim Kelmendit.

Anëtarët e Këshillit kanë vendosur që ushtrues detyre i Kryeprokurorit të caktohet prokurori Agron Çalaj. /EO