Arbëri

Osmanaj: Draftstatuti cenon Kushtetutën në disa pika

Veriu

Një draft i statutit të Asociacionit, i cili ka dy ditë që është në qarkullim, cenon në disa pika rendin kushtetues të Kosovës, vlerëson Egzon Osmanaj, hulumtues në Institutin Friedrich Ebert Stiftung. Sipas tij, me disa modifikime përmbajtjesore drafti mund të shërbejë si bazë për formimin e Asociacionit.

Drafti i fundit i statutit të Asociacionit, i cili është në qarkullim prej dy ditësh, parasheh për komunitetin serb vetëmenaxhim të asaj mase, sa nga një numër njohësish është vlerësuar se bie ndesh me Kushtetutën.

Përmbajtja e draftit të publikuar nga Radio Evropa e Lirë thotë se Asociacioni do të ketë kompetenca të plota në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.

Egzon Osmanaj, menaxher i programit në Friedrich Ebert Stiftung, i cili ka pasur qasje në draft, thotë se dokumenti ka nevojë për ndërhyrje dhe për definim të termeve sikur është ai: “vështrimi i plotë” i kompetencave për fusha të caktuara.

“Janë disa pika që duken të rrezikshme ose që e cenojnë pak a shumë këtë idenë e shtetit tonë unitar dhe kushtetutshmërinë e tij. Në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, në fushën e zhvillimit rural dhe urban, kjo marrëveshje e specifikon pak a shumë dhe në sqarimet që jepen, është që ajo do ta rregullojë, do ta organizojë, do ta koordinojë fushëveprimtarinë e komunave edhe në këto aspekte ose në këto fusha. E mendoj që problemi është me këtë pjesën e rregullimit për shkak se kjo nuk i takon Asociacionit, sepse nuk mund t’i takojë një strukture të tillë. Kjo i takon komunave”, ka thënë Osmanaj.

Draftstatuti parasheh që Asociacioni të menaxhojë plotësisht institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunat me shumicë serbe, dhe që këto institucione të financohen nga Serbia.

Sipas Osmanajt, drafti i legjitimon sistemet paralele të edukimit dhe shëndetësisë, dhe kjo, sipas tij, është problematike.

“Për mua është e rëndësishme të qartësohet se mbi çfarë kurikulash do të funksionojnë këto institucione të arsimit. Ne kemi parë që ka pasur shumë probleme ta zëmë me tekstet arsimore, me tekstet e historisë ku mënyra se si ligjërohet kjo lëndë, se çfarë mësojnë nxënësit e komunitetit serb në Kosovë, është njëfarë nxitje kundër rendit tonë juridik- kushtetues, kundër idesë së shtetësisë së Kosovës që për mua është problematike”, ka thënë ai.

Osmanaj thotë se drafti në disa pika është në kundërshtim me kartën evropiane për vetëqeverisje lokale, ndonëse thirret se është në përputhje me të.

Draft-statuti i Asociacionit, i propozuar nga ndërkombëtarët, i është prezantuar kryeministrit Albin Kurti një muaj më parë, ndërkaq këtë javë edhe përfaqësuesve të subjekteve opozitare.