Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik i ka marrë dy vendime për dy tenderë të Ministrisë së Shëndetësisë, brenda një dite. Ka konsideruar që në të dy herët, ministria ka shkelur ligjin kur ka anuluar tenderët, por në të dy rastet u ka rekomanduar kompanive t’u drejtohen gjykatave, ndonëse vetë ka një rol të tillë për tenderët. Një praktikë e tillë nuk është e zakonshme në këtë institucion vendimmarrës
Dy vendime të pazakonshme, brenda një dite i ka marrë Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. Të dy vendimet kanë të bëjnë me Ministrinë e Shëndetësisë.
Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, ka vlerësuar se operatorët kanë të drejtë në ankesat e tyre për shkelje në Ministrinë e Shëndetësisë ani se konsiderohet si gjykatë e tenderëve e që vendimet e saj janë obliguese, nuk e ka detyruar të veprojë për asnjë veprim Ministrinë e Shëndetësisë. Thjeshtë u ka rekomanduar kompanive që të ankohen në gjykatë “rreth anulimit të tenderit për shkak të veprimeve në kundërshtim me ligjin”.
Njëri vendim i OSHP-së ka të bëjë me tenderin “Furnizim me pajisje për laboratorët mikrobiologjikë në IKSHPK”. Vendimi është marrë më 13 dhjetor dhe ankesa është konsideruar e bazuar.
Ministria e Shëndetësisë e pati anuluar këtë tender me arsyetimin se Njësia Kërkuese ka përshtatur kriteret e tenderit për një kompani të caktuar.
OSHP-ja ka vlerësuar se MSH-ja jashtëligjshëm e ka bërë një gjë të tillë, pasi që ky institucion është dashur të kujdesej me herët të parandalonte përshtatjen e kritereve, e jo në mes të procesit.
“Autoriteti Kontraktues është i obliguar që konform dispozitave ligjore ta bëjë ligjshmërinë e secilit veprim dhe këto të verifikohen para inicimit të aktivitetit të prokurimit por edhe në fazat e më të vonshme. Ndërsa, jo në fazën kur publikohet njoftimi për dhënie të kontratës, kur pritet të bëhet edhe nënshkrimi i kontratës nga palët”, thuhet në këtë vendim.
Me kërkesë të vetë Ministrisë së Shëndetësisë, Banka Botërore pati analizuar tenderin “Servisimi i pajisjeve që lidhën me Sistemin Informativ Shëndetësor” dhe u konstatua se ka pasur përpjekje që të bëhet kurdisje. Pasi pranoi ekspertizën, ministria anuloi tenderin 700 mijë eurosh.
“Një kërkesë e tillë duhet të shoqërohet me një analizë tregu, që tregon se të paktën dy operatorë ekonomikë nga tregu vendës mund ta përmbushin këtë kriter. Përndryshe, kjo lejon që vetëm një operator ekonomik të jetë në gjendje të ofrojë – ai që ofron mirëmbajtje të certifikuar të Dell EMC Zero Client. Nëse MSH-ja nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ketë mirëmbajtje vetëm me një kompani, ndoshta me atë që ka dorëzuar harduerin, atëherë kjo duhet të justifikohet për një prokurim me një burim të vetëm dhe të jetë e dukshme në dokumentin e tenderit”, thuhet në ekspertizën e Bankës Botërore të cilën e pati siguruar muaj me parë KOHA.
Edhe në këtë rast, OSHP-ja konstatoi se tenderi është anuluar jashtëligjshëm, por nuk e ka obliguar për asnjë veprim MSh-në, veçse e ka këshilluar kompaninë që t’i drejtohet gjykatës. Arsyetimi i vendimit është identik sikurse vendimi tjetër.
“Autoriteti Kontraktues është i obliguar që konform dispozitave ligjore ta bëjë ligjshmërinë e secilit veprim dhe këto të verifikohen para inicimit të aktivitetit të prokurimit por edhe në fazat e më të vonshme. Ndërsa, jo në fazën kur publikohet njoftimi për dhënie të kontratës, kur pritet të bëhet edhe nënshkrimi i kontratës nga palët”, thuhet në vendim.
Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive në organizatën INPO, që merret me proceset e prokurimit, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur të drejtë t’i anulojë tenderët në fazën që ishin, por edhe OSHP-ja nuk mund t’i orientojë kompanitë drejt gjykatës, meqë duhet të vendosë vetë.
“Në rastin konkret, MSH-ja pavarësisht që arsyetimin mund ta ketë të bazuar ligjërisht e ka të paargumentuar apo të pabazuar anulimin e prokurimit, rrjedhimisht këto vendime të OSHP-së ishte dashur që të vendosin në atë formë që t’i japin epilog lëndës, nëse anulimi ka qenë i ligjshëm apo i paligjshëm e jo të udhëzohen direkt palët në gjykatë”, ka thënë ajo.
OSHP-ja e Ministria e Shëndetësisë në dy vitet e fundit, vazhdimisht kanë pasur polemika, madje edhe publike. Akuza e kundërakuza patën veçanërisht te tenderi për insulina.