Komuna e Drenasit ka shpallur sërish fitues operatorin “LetaMed” për tenderin 99 mijë euro për pajisje stomatologjike në QKMF, edhe pasi OShP kishte konstatuar se nuk ishin përmbushur specifikat dhe kishte kërkuar rivlerësim të ofertave. Pas shpalljes së fituesit, operatorë pjesëmarrës kanë dorëzuar ankesë në OShP, duke pretenduar ndërhyrje dhe favorizim në proces.
Edhe pse Organi Shqyrtues i Prokurimit konstatoi se operatori ekonomik “LetaMed” nuk i kishte përmbushur specifikat për tenderin e pajisjeve stomatologjike në QKMF-në e Drenasit dhe kërkoi rivlerësim, Komuna si autoritet kontraktues sërish e shpalli atë fitues.
Pas kësaj, operatori tjetër pjesëmarrës “Promedical” dorëzoi ankesë në OShP, duke pretenduar se çmimi i ofertuar është shumë më i lartë se ai i tregut.
Ankuesi ka bashkëngjitur edhe fotografi me çmime referuese.
“Sipas vlerësimit të ofertës, një karrige stomatologjike është kontraktuar me çmim prej 7,800.00 €, ndërkohë që çmimi real në treg për pajisje të njëjta ose ekuivalente sillet nga 2,200.00 € deri në 3,200.00 €. Për më tepër, një Operator Ekonomik nga Suhareka ka fituar kontratë për pajisje të njëjta me çmim prej 3,500.00 € për njësi, pra tenderin me nr. 624-24-4917-1-2-1 pra AK: KOMUNA SUHAREKË. Në këtë tender, çmimi i ofertuar është mbi 110% më i lartë se çmimi i tregut”, thuhet në ankesën e “PROMEDICAL”.
Ky tender edhe më herët kishte përfunduar në OShP, pas ankesës së “Promedical”.
Ekspertët teknikë dhe paneli shqyrtues kishin vendosur se ankesa është e bazuar dhe se operatori i rekomanduar për kontratë nuk i kishte përmbushur të gjitha specifikat e kërkuara nga AK-ja.
“Autoriteti Kontraktues për këtë kriter nuk i ka trajtuar barabartë operatorët ekonomikë, pasi që OE-ja ankues e ka eliminuar për shkak se certifikata CE nuk është e noterizuar dhe me afat të skaduar, ndërsa OE të rekomanduar për CE që nuk e ka të noterizuar dhe të skaduar e vlerëson që e plotëson kriterin, ndërsa OE ankues e eliminon me arsyetimin se CE nuk është e noterizuar dhe me afat të skaduar”, thuhet në vendimin e panelit shqyrtues të OSHP-së.
“Promedical” pretendon po ashtu se operatori fitues ka lidhje me anëtarë të komisionit.
“Unë e kam marrë katalogun e hijezum dhe kam shku në zyrë të prokurimit. Ju kam thanë: “Ju po thoni që nuk e kam nënvizuar, a është i hijezum këtu?” E kanë hapë kompjuterin dhe kanë thanë: “Jo, paskan qenë.” Pastaj kanë thanë me shiku me bë rivlerësim, se “na jemi me ta dhanë tenderin, po komisioni po na qet pengesa, se na jemi me ta dhanë”. Dikush prej komisionit është i lidhur direkt me ‘LetaMedin’”, tha pronari i “Promedical”, Adnan Bala.
Por operatori “LetaMed” i ka mohuar të gjitha pretendimet, duke thënë se ndërhyrjet në autorizim i ka bërë “Promedical”.
“Këtyre pyetjeve unë nuk u përgjigjem. Përgjigjen më të mirë e keni nëse hyni i shikoni rezultatet. Kompania që pretendon se unë kam bërë falsifikim, këtë e ka shprehur edhe në Kuvendin Komunal dhe i ka kontaktuar kompanitë me të cilat ne kemi ofertuar. Kompania që pretendon që ne i kemi falsifikuar, ka marrë përgjigje nga prodhuesit”, tha “LetaMed”.
Në ankesën e “Promedical” pretendohet edhe për ndërhyrje të drejtorit të QKMF-së në proces.
Drejtori i QKMF-së në Drenas, Ismet Bogiqi, ka mohuar këto akuza.
“Unë nuk kam ndërhy, por për me verifiku dokumentacionin e asaj kompanie është shfrytëzua veç emaili jem zyrtar nga komisioni... Ka ndodhur se nuk iu ka kthye përgjigje komisionit, se e ka pasë emailin tjetër, një email privat kompania që e ka kthyer, dhe në pajtim me komisionin me një shkresë e ka ba komisioni. Atë shkresë ia ka dërgu kompanisë dhe e ka kthye që ai operator e ka ba dokumentin falsifikat”, tha Bogiqi.
KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Drenasit për të sqaruar se pse, edhe pas vendimit të OShP-së për rivlerësim, i njëjti operator është shpallur sërish fitues.
Komuna nuk ka dhënë përgjigje të detajuar, duke theksuar vetëm se të gjithë operatorët ekonomikë trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Komuna bën verifikimin dhe aty ku dyshon që ka falsifikim të dokumenteve i drejtohet me shkresë OShP-së dhe është OShP ajo që merr vendim nëse ka apo nuk ka dokumente të falsifikuara. Deri në marrjen e vendimit të OShP-së nuk mund të konkludojmë nëse ka apo nuk ka dokumente të falsifikuara”, u tha nga Komuna e Drenasit.
Vlera e këtij tenderi ishte 99 mijë euro.